Kryeministri Hristijan Mickoski informoi se të premten dhe të shtunën pritet të mbahen takime me partnerët e koalicionit nga VLEN dhe ZNAM, ku do të diskutohet për rikonstruimin e paralajmëruar të Qeverisë.
Siç deklaroi sot Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, pas vizitës në Spitalin e Përgjithshëm të rikonstruktuar në Komunën e Strumicës, bashkëpunimi mes VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it vazhdon si deri më tani.
HRISTIJAN MICKOSKI – Kryeministër
“Për të premten dhe të shtunën janë caktuar takimet me partnerët e koalicionit nga VLEN dhe ZNAM. Tani nuk jemi para zgjedhjeve, por në gjysmën e dytë të mandatit. Kemi një bashkëpunim jashtëzakonisht korrekt dhe miqësor me VLEN-in dhe pres që të vazhdojmë në të njëjtën frymë. Pas realizimit të bashkëpunimit tonë pas zgjedhjeve të vitit 2024, pasuan zgjedhjet lokale ku ata fituan bindshëm në 10 komuna, prandaj nuk shoh asnjë pengesë që ky bashkëpunim të mos vazhdojë”, theksoi Mickoski
Mickoski kishte deklaruar më herët se me rikonstruimin do të merret pas përvjetorit të partisë. Kjo nënkupton se takimet me partnerët qeveritarë VLEN dhe ZNAM mund të nisin që ditën e ardhshme, me qëllim rikonfigurimin e kabinetit qeveritar.
Kryeministri ka theksuar se fokusi gjatë rikonstruimit do të jetë më shumë te cilësia dhe përmbajtja sesa te numri i ndryshimeve.
Në këtë drejtim do të zhvillohen bisedime me bashkëkryetarët e VLEN-it, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami, si dhe me liderin e ZNAM-it, Maksim Dimitrievski.
Mickoski ka përsëritur disa herë se, përveç zëvendësimit të disa ministrave, janë të mundshme edhe rokada të resorëve ndërmjet partnerëve të koalicionit, nëse në tavolinë paraqiten propozime më cilësore kadrovike se ato aktuale.
Paralelisht me rikonstruimin e Qeverisë, në opinion po qarkullojnë edhe spekulime për zgjedhje të parakohshme parlamentare në pranverën e vitit 2027, megjithëse kryeministri ka theksuar vazhdimisht se është për zgjedhje të rregullta në vitin 2028, përveç rasteve kur, siç ka thënë ai, “opozita e provokon një gjë të tillë”./Tv Koha/







