22/02/2024
12.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

RMV, Këshilli Gjyqësor e miratoi metodologjinë për vlerësimin e punës së gjykatësve

Këshilli Gjyqësor ka informuar se është miratuar Metodologjia për vlerësim të punës së gjykatësve në bazë të plotësimit të kritereve kualitative për punë gjyqësore, si dhe formularin për vlerësim dhe pikësimin e plotësimit të kritereve kualitative për punën e gjykatësit, njofton Portalb.mk.

Këshilli Gjyqësor e ka miratuar Metodologjinë për vlerësim kualitativ të kryetarëve të gjykatave dhe formularin për vlerësimin e tyre.

Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq e ka përshëndetur vendimin e Këshillit Gjyqësor për miratimin e metodologjisë.

“Vlerësoj se ky është hap i madh drejt kthimit përfundimtar të besueshmërisë së humbur në gjyqësor. Më 28 dhjetor Këshilli për Reforma në Gjyqësor do ta konfirmojë metodologjinë e plotë për filtrim të gjyqësorit dhe prokurorisë”, tha Mariçiq.

Kryeministri Zoran Zaev dje tha se prioriteti i parë që gjendet në listën e përpiluar të projekteve, është pastrimi i gjyqësorit, gjë që është paralajmëruar edhe në fillim të mandatit të Qeverisë. Ai tha se aksioni për pastrimin e gjyqësorit do të zhvillohet në faza, ndërsa theksoi se do të rishikohen dosjet e gjykatësve dhe se çdo gjykatës do të vlerësohet për punën që ka për në fushën e tij.

“Në aksionin 2021, kemi përfshirë 10 prioritete ndërsa numër 1 në listë është pastrimi i gjyqësorit. Modeli i pastrimi apo filtrimit është në fazën përfundimtare. Në të kanë punuar fillimisht përfaqësuesit e Këshillit Gjyqësor, Këshillit të Prokurorëve Publik, me mbështetjen e opinionit akademik dhe pikërisht ata do të jenë që do të miratojnë modelin që vet e kanë krijuar dhe do ta zbatojnë. Do të rishikohen dosje të plota, çdo gjykatës do të vlerësohet, do të ketë listë të kritereve që do të shqyrtohen për të gjithë gjykatësit, si kanë udhëhequr procedura, si kanë paraqitur dëshmitë, si janë dëgjuar dëshmitarët, posaçërisht në pjesën e procedurave të caktuara në lëndët e caktuara të cilat u vjetërsuan me prolongim. Do të iniciojmë ndryshime ligjore, në bazë të së cilit Prokuroria Publike do të duhet të njoftojë opinionin në mënyrë të rregullt dhe vazhdimisht për punën e saj dhe për lëndët për të cilat ka interes të posaçëm publik. Këtu para së gjithash mendoj së lëndët e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, deklaroi Zaev.

Po ashtu, do të kontrollohet edhe gjendja e pronësisë së gjykatësve dhe prokurorëve.

“Në këtë aktivitet është e përfshirë edhe verifikimi i gjendjes së pronësisë të gjykatësve dhe prokurorëve dhe presim nga Komisioni për Antikorrupsion që të bëhet kjo përmes institucioneve tjera. Paralelisht me këtë proces, në fillim të vitit të ardhshëm më së voni në pranverë, pritet të fillojë edhe monitorimi i rasteve gjyqësore nga ana e BE-së i profilit të lartë. Rreth 50 lëndë në vit, në të cilat do të marrin pjesë ekspert nga jashtë dhe ekspertë vendor, të angazhuar nga BE dhe OSBE”, tha ai.

Reformat në gjyqësor gjithsesi janë ndër parimet kryesore të kryeministrit Zoran Zaev, duke e pasur parasysh se Maqedonia e Veriut duhet t’i fillojë bisedimet – a të njëjtat do të ndalohen menjëherë nëse gjyqësori vazhdon me praktikën e vjetër – jo-transparencë, jo-profesionalitet, anshmëri, pabarazi apo ndikim të pushtetarëve në vendimet e tyre. Gjatë periudhës së mandatit të kaluar, reformat në gjyqësor ndonëse u premtuan dhe vazhdimisht ishte në fjalimet e pushtetarëve se i njëjti do të reformohet, megjithatë përveç ligjeve të miratuara në letër – në terren ishte po e njëjta situatë, madje me një arsye më pak për t’i besuar resorit me më pak besueshmëri te qytetarët, pas skandalit/zhgënjimit me kryeprokuroren speciale, Katica Janeva.

“Vetingu” ishte një ndër zgjidhjet që vazhdimisht është folur e përfolur si një mjet i drejtpërdrejtë për ta ndaluar praktikën e jotransparencës apo mosndëshkimit të strukturave gjyqësore, pavarësisht rezultateve të dobëta dhe vendimeve skandaloze. Megjithatë, BE-ja një gjë të tillë nuk e preferonte për shkak të përvojës së hidhur në Shqipëri, ku u bllokuan institucionet. Por kjo nuk do të thotë që ata nuk kërkonin pastrim të gjyqësorit. Kërkesa e evropianëve ishte që autoritetet shtetërore të RMV-së ta pastrojnë gjyqësorin, por me mekanizmat ekzistues, gjë e cila u respektua dhe “vetingu” sipas modelit të Shqipërisë u hoq nga tavolina.

Për modelin e ri, profesoresha universitare, Besa Arifi, në një analizë të Portalb.mk, vlerësoi se i njëjti do të japë rezultatin e dëshiruar, por edhe nëse ky proces mbaron në mënyrën më të mirë të mundshme, vetë gjyqësori duhet ta kthejë besimin e qytetarëve.

Nuk ka ende detaje se kush dhe si do ta zbatojë vetingun te politikanët.

Të fundit