18/06/2024
27.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

RMV, mjekët amë me kompetenca të zgjeruara, prej sot mund të përshkruajë terapi që më parë e jepnin vetëm specialistët

Sistemi Termini im është përmirësuar nga sot dhe ilaçet e miratuara për presionin e lartë të gjakut, diabetin, astmën, problemet me funksionin e reduktuar të tiroides dhe sëmundjet pulmonare obstruktive kronike tashmë mund të përshkruhen nga mjekët e përgjithshëm në praktikë. Një hap i tillë është pjesë e reformave të paralajmëruara në kujdesin parësor shëndetësor, të cilat do të ndodhin në tre vitet e ardhshme dhe me qëllim të të cilit tentohet që pjesa më e madhe e shërbimeve pacientët t’i kryejnë te mjeku amë, në vend se te ndonjë specialist. Specialistët janë të rezervuar për ndërhyrje më të komplikuara dhe kushte kërcënuese për jetën, ndërsa mjekët amë do të menaxhojnë pacientët me sëmundje kronike pa i referuar ata te specialisti për çdo detyrë administrative, transmeton Portalb.mk.

“Ne jemi mjekë, por deri më tani kemi pasur barriera. Kompetencat tona janë njohur, por nuk kemi mundur t’i zbatojmë në asnjë mënyrë. Numri i specialistëve të mjekësisë familjare me diploma të njohura dhe të verifikuara nga Oda e Mjekësisë është treshifror, bota nuk na njeh dhe nuk mund të punonim. Me këto ndryshime hiqet barriera, do të punojmë sipas protokollit dhe rrugëve klinike. Ne do të zbatojmë atë që kemi mësuar. Nga ky ndryshim do të përfitojnë të gjithë pacientët kronikë dhe familjet që nuk duan të shkojnë kot tek mjeku specialist, kategoria e të moshuarve me sëmundje të shumta. Ne duhet të menaxhojmë të gjithë ata pacientë dhe të vlerësojmë nëse janë nën kontroll. Kemi një kriter të saktë sipas protokollit se kur duhet t’i referojmë te mjeku specialist”, tha Dr. Marta Tunxheva, mjeke amë prej shumë vitesh.

Për mjekët amë, që të mund të punojnë edhe më me efikasitet, nevojiten mjete dhe pajisje shtesë. Protokollet përfshijnë digjitalizimin, modernizimin e sistemit elektronik dhe kredencialet për sistemin diagnostik, dhe e gjithë kjo duhet të matet disi, nëse pacientët janë të parandaluar dhe kontrolluar.

Mjeku Zllate Mehmedoviq, koordinator i reformave në shëndetësinë parësore, ka bërë të ditur se mjekëve amë së shpejti do t’u jepet mundësia për të lëshuar referime laboratorike, të cilat deri më tani ishin në kompetencë vetëm të specialistëve.

“Lista e barnave do të zgjerohet, por sipas programit të përcaktuar në reforma. Për të siguruar cilësi, përmes protokolleve që parashikojnë saktësisht se kur mund të përshkruhen barna. Kështu do t’i mbrojmë pacientët dhe ligjërisht mjekët”, tha Mehmedoviq.

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, beson se me faktin se mjekëve amë iu jepet autoriteti për të përshkruar barna të tilla, do të eliminohen ngarkesat në Qendrën Klinike, ku pacientët kanë ardhur vetëm për të marrë një dokument nga specialisti.

“Kështu do t’i lejojmë profesionistët e shëndetësisë dytësore dhe terciare të fokusohen në shkencë. Synimi ynë është që Fakulteti i Mjekësisë të renditet më lart në listën e Shangait”, tha Mexhiti.

Këto risi Ministri për Shëndetësi i paralajmëroi tre ditë më parë.

Të gjitha këto aktivitete, që janë pjesë e reformës së shëndetësisë primare, deklaroi ministri Fatmir Mexhiti, janë masë reformuese edhe në programin për reforma ekonomike në Qeveri për periudhën 2023-25, ndërsa është paraqitur edhe propozimi për të hyrë në strategjinë e Bankës Botërore për partneritet me shtetin tonë për periudhën 2024-2028.

Të fundit