22/06/2024
21.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

RMV, shpeshtohen vizitat e të rinjve te mjekët dhe psikologët, përdorimi i substancave psikoaktive është rritur

Fëmijët dhe të rinjtë në vend kanë vizituar më shumë mjekë, psikologë dhe logopedë në vitin e kaluar krahasuar me 2021, sipas raportit të shërbimit shëndetësor për fëmijët e shkollave dhe të rinjtë për vitin 2021 dhe 2022, i publikuar nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) në prag të 12 gushtit, Ditës Botërore të Rinisë. Në lidhje me veprimtarinë e mbrojtjes shëndetësore të fëmijëve të moshave shkollore dhe të rinjve,  ISHP bën me dije se realizohet në 33 pika, që të gjitha në qytet, transmeton Portalb.mk.

 

“Në këtë veprimtari punojnë 65 mjekë dhe 83 punonjës shëndetësorë me arsim profesional të lartë dhe të mesëm. Por, në vendin tonë ende nuk është arritur një standard i numrit të nevojshëm të mjekëve për këtë grup të popullatës, pra 1 mjek për mesatarisht 5448 fëmijë të moshës 7-19 vjeç. Edhe raporti i mjekëve dhe punonjësve shëndetësorë me formim profesional të lartë dhe të mesëm, i cili është 1:1,9, nuk është i kënaqshëm”, thuhet në imormimin e ISHP-së.

Nëse shihet raporti, vërehet se vëllimi i përgjithshëm i shërbimeve dhe aktiviteteve shëndetësore të kryera në vitin 2022 ka shënuar rritje prej 11.4 pikë indeksi krahasuar me vitin 2021. Është rritur numri i vizitave në ordinancë te mjeku, si dhe numri i vizitave te punonjësit e shëndetësisë, por edhe te psikologët dhe logopedët, nga 1,871 në 2021 në 2,011 vizita në 2022.

Burimi: ISHPRMV – Raporti i Shërbimit për mbrojtje shëndetësore të fëmijëve të moshave shkollore dhe të rinjve, 2021 dhe 2022. Infograf i marrë nga ISHP i RMV-së
Burimi: ISHPRMV – Raporti i Shërbimit për mbrojtje shëndetësore të fëmijëve të moshave shkollore dhe të rinjve, 2021 dhe 2022. Infograf i marrë nga ISHP i RMV-së

Për sa i përket vdekshmërisë, në vitin 2022 janë regjistruar gjithsej 105 persona të vdekur nga mosha 5 deri në 24 vjeç. Të rinjtë nga mosha 15 deri në 24 vjeç janë më të përfaqësuarit në totalin e vdekshmërisë së kësaj popullate, me pjesëmarrje prej 68,6 përqind. Fëmijët djem janë më të përfaqësuar në vdekshmëri sesa fëmijët femra.

Të rinjtë janë të kërcënuar nga ndikimet sociale të krizës

Edhe pse të rinjtë si kategori nuk janë grupi më i rrezikuar i pacientëve, ata janë shumë të kërcënuar nga implikimet sociale dhe ekonomike të krizës, theksojnë përgjegjësit e ISHP-së.

“Duke pasur parasysh se bëhet fjalë për qytetarë me rol kryesor për qëndrueshmërinë e shoqërisë dhe të ardhmen e saj, duhet të merren masa për mbrojtjen e të rinjve dhe uljen e pasojave negative mbi ta. Kjo kategori moshe përbën rreth një të katërtën e popullsisë së përgjithshme”, thuhet në informacionin e Institutit.

Nga atje kujtojnë se pandemia dhe masat për t’u mbrojtur nga përhapja e sëmundjes kanë efekt të madh te të rinjtë. Nxënësit dhe studentët ishin të parët që ndryshuan mënyrën e tyre të jetesës me mbylljen e institucioneve arsimore, në klasa të improvizuara online, të cilat pavarësisht synimeve më të mira, janë të paqarta sa efektive janë.

“Ka të rinj pa qasje në internet dhe teknologji, prindërit e të cilëve nuk mund t’i ndihmojnë të mësojnë dhe rrezikojnë të bien edhe më tej pas moshatarëve të tyre. Pyetjet e hapura si provimet e maturës, regjistrimet në fakultetet apo fillimi i vitit të ri krijuan pasiguri të madhe, veçanërisht te të rinjtë që duhet të kalojnë nga një nivel arsimor në tjetrin. Nga ana tjetër, ankthi i të rriturve dhe presioni për të qenë vazhdimisht në kuadrin e sistemit familjar bëri një ndikim negativ shtesë në shëndetin mendor të të rinjve”, thotë ISHP.

Kërkohet edukim shëndetësor

Përgjegjësit në ISHP thonë se është e nevojshme ndërgjegjësimi i të rinjve përmes programeve të edukimit shëndetësor në të gjitha nivelet, për të vënë në dukje rëndësinë e shëndetit të tyre dhe mirëqenies së përgjithshme.

“Nevojitet pjesëmarrja aktive në realizimin e programeve shëndetësore, për të zbatuar njohuritë e marra përmes edukimit shëndetësor për stile jetese të shëndetshme. Është e nevojshme ndërgjegjësimi i të rinjve për rrezikun që ekziston për shëndetin e tyre për të reduktuar sjelljet e rrezikshme”, shtuan nga atje.

Në lidhje me shëndetin mendor, simptomat më të zakonshme të dëmtimit të shëndetit mendor te të rinjtë janë përvojat e ankthit, depresionit, panikut dhe humorit fobik, vetëdëmtimit dhe vetëvrasjes, përballjes me humbjen, krizës së identitetit, agresionit të zhvendosur, sjelljes së varësisë duke përfshirë varësinë nga interneti, dhuna në familje, dhuna në çift dhe të tjera.

“Situata me pandeminë prek seriozisht të rinjtë për sa i përket konsumit më të shpeshtë të substancave psikoaktive, të ligjshme (alkool, drogë, duhan) dhe të paligjshme (heroinë, marihuanë, amfetamina). Përdorimi i rrezikshëm i substancave psikoaktive është rritur gjithashtu, duke përfshirë përdorimin e një kombinimi të drogës dhe alkoolit. Prandaj duhet të organizohet sistem i mbështetjes për shëndetin mendor të të rinjve, i cili do të përfshijë psikoedukimin”, thuhet në rekomandimet e ISHP-së.

Të fundit