25/06/2024
17.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

NJË RRUGË ME PËRPLOT “SHERE”! Rruga Tetovë-Prizren trazon pushtetin lokal dhe qendror

Komuna e Tetovës së fundmi ka bërë të ditur se do të përpilojë projekt me të cilin të gjithë fshatrat e Malësisë së Tetovës do të lidheshin me rrugën Tetovë-Prizren. Ndërkaq zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi thotë se Komuna e Tetovës nuk ka kompetenca të flet për rrugën në fjalë, dhe se marrëveshja për hapjen e këtij kalimi është bërë në nivel qeveritarë

Urim HASIPI

Tetovë, 11 gusht – Ende pa filluar të ndërtohet, rruga Tetovë-Prizren ka ngjallur shumë debate, përplasje dhe akuza ndërmjet pushtetit qendror dhe pushtetit lokal në Tetovë. Ndonëse pushteti qendror gjatë tërë kohës përmend procedurat që duhet të ndiqen derisa të fillojë të ndërtohet, pushteti lokal në Tetovë thekson se pushteti qendror nuk dëshiron dhe as që e ka në plan të bëjë një rrugë të tillë.

Kësisoj, rruga Tetovë-Prizren është përfolur, kërkuar, premtuar por ende nuk është realizuar. Kjo ide e kamotshme ka filluar të riaktualizohet pas ardhjes se Albin Kurtit në krye të Qeverisë së Kosovës. Ai shpesh herë e ka përmendur jetësimin e këtij projektit. Ky i fundit qëndron në Tetovë gjatë ditës së premte, ndërsa sipas komunës, temë diskutimi do të jetë edhe hapja e këtij kanali lidhës të shqiptarëve. Nikoqirët e këtij takimi thanë se janë të gatshëm që të bëjnë çfarë do që është e mundur dhe që është në kompetencë të tyre për jetësimin e këtij projekti.

Zëdhënësi i Komunës së Tetovës Albi Qamili thotë se institucioni që përfaqëson do të angazhohet që sa më shpejtë të jetë e mundur të bëhet 5 kilometër rrugë, që do i lidh fshatrat e malësisë me pjesën ku parashihet të bëhet traseja e rrugës Tetovë-Prizren. Megjithatë ai ngre dyshime për gatishmërinë e pushtetit qendrorë për realizimin e këtij projekti. “Nuk mund të themi asgjë konkrete përderisa ju e dini se sa kompetenca kemi ne. Ne do t’i bëjmë të gjitha punët që kemi mundësi. Sipas disa informatave tona, Qeveria e RKS i ka ndërmarrë të gjitha masat madje ka ndarë edhe buxhet nuk jemi të njoftuar se deri ku kanë arritur punët e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut”, tha Albi Qamili zëdhënës i Komunës së Tetovës.

Ndërkaq zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi thotë se Komuna e Tetovës nuk ka kompetenca të flet për rrugën në fjalë, dhe se marrëveshja për hapjen e këtij kalimi është bërë në nivel qeveritarë. “Komuna s’ka asnjë kompetencë të vetme dhe asnjë mundësi për të realizuar një projekt të tillë. Më duket se nuk bëhet fjalë për projektin e rrugës Tetovë-Prizren për të cilën kemi marrëveshje midis dy qeverive dhe grup koordinues, por me sa duket bëhet fjalë për ndonjë ide tjetër, të ndonjë shtegu turistik për hajking ose diçka të tillë. Projekti në fjalë ishte propozim i joni dhe iu prezantua Qeverisë së Kosovës me ç’rast u pranua nga ata dhe u firmos marrëveshja. Komisionet e kanë përcaktuar gjurmën e rrugës dhe janë dakorduar mbi tunelin ndërlidhës. Tash jemi në fazën e shpalljes për projektim, fazë që zgjatë mbi një vjet”, tha Artan Grubi.

Nga Qeveria e Kosovës thonë se janë në finalizim të marrëveshjes financiare. Zëvendësministri i Infrastrukturës Hysen Durmishi tregon se në Kosovë ka përfunduar veçmë projekti kryesor i rrugës nga tuneli që parashihet të bëhet deri në kyçjen e autostradës “Ibrahim Rugova”. “Pas marrëveshjes në mes dy kryeministrave është formuar një komision ndërshtetërorë me dy kryesues, Bekim Rexhepi si zëvendësministër nga pala e Maqedonisë së Veriut. Në takimet që i pasur e kemi vendosur variantin që është varianti me tunelin 6.4 kilometër. “Aktualisht jemi në finalizim të marrëveshjes financiare dhe përgatitjes së termave të referencës për hartimin e projektit kryesorë. “Ne në Kosovë e kemi përfunduar edhe projektin kryesor të rrugës nga dalja e tunelit e deri në kyçjen në autostradën ‘Ibrahim Rugova’” tha Hysen Durmishi zëvendësministër i Infrastrukturës së Kosovës.

Qytetarët e RMV-së nga Tetova deri në Prizren udhëtojnë 162 kilometra, ndërsa nga Tetova deri në Tiranë duhet të kalojnë 380 kilometra, ndërsa me rrugën e premtuar kjo mund të shkurtohet në 190 kilometra. Komuna e Tetovës së fundmi ka bërë të ditur se do të përpilojë projekt me të cilin të gjithë fshatrat e Malësisë së Tetovës do të lidheshin me rrugën Tetovë-Prizren. (koha.mk)

Të fundit