06/10/2024
11.3 C
Tetovo

Të tjera lajme

RMV, sot dorëhiqen Qeveria dhe Talat Xhaferi, nesër zgjidhet kryetari i Kuvendit

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, dje shpalli datat e seancave për dorëheqjet dhe zgjedhjen e qeverisë teknike. Më 28 janar do të caktohet seanca për zgjedhjen e qeverisë teknike dhe më pas do të zhvillohet seanca e dytë për zgjedhjen e zëvendësministrave shtesë, si dhe për verifikimin e mandatit të një deputeti, transmeton Portalb.mk.

Kryetari i Qeverisë, Dimitar Kovaçevski dhe ai i Kuvendit, Talat Xhaferi, mandatar i qeverisë teknike, sot do të dorëzojnë dorëheqje, duke filluar kështu afatet për formimin e qeverisë kalimtare, e cila mbahet njëqind ditë para zgjedhjeve parlamentare të 8 majit.

Në një takim me gazetarët dje, Xhaferi ka shpjeguar se si do të vijojë procedurat, por ka thënë se nëse ka propozime, nuk ka asnjë pengesë që ministrat e VMRO-DPMNE-së të mos jenë pjesë e Qeverisë teknike.

Ai nuk ka dashur të thotë nëse në këtë Qeveri do të ketë ndryshime kadrore te ministrat e BDI-së dhe Aleancës së Shqiptarëve. Tashmë dihen propozimet e LSDM-së.

“Nesër është dita “D” për dorëzimin e dorëheqjeve. Qeveria do të më njoftojë mua si kryetar i Kuvendit se po jep dorëheqjen dhe unë si kryetar i Kuvendit do ta informoj Presidentin e Shtetit se Qeveria ka dhënë dorëheqje. Do ta autorizoj nënkryetarin e Kuvendit, Goran Misovskin, që ta udhëheqë seancën të premten, më 26 janar, dhe pastaj do të jap dorëheqje”, theksoi dje Xhaferi.

Nesër, më 26 janar, siç ka sqaruar Xhaferi, kryetari i shtetit Stevo Pendarovski duhet t’ia besojë Qeverisë teknike mandatin e kryeministrit dhe afatet do të fillojnë të ecin.

Më 27 paradite, Xhaferi duhet të paraqesë në Kuvend programin dhe përbërjen e Qeverisë dhe seanca zgjedhore të thirret më 28 janar.

Siç sqaroi ai, për kompletimin e qeverisë teknike do të thirret një seancë tjetër për të votuar zëvendësministrat shtesë dhe për të verifikuar mandatin e një deputeti.

Xhaferi tha se ndonëse janë planifikuar dy ditë debat, sipas praktikës së krijuar, ai ka përfunduar brenda një dite.

Në lidhje me njoftimet se VMRO-DPMNE nuk do ta votojë, tha se nuk e shqetëson kush dhe si do ta votojë. Lidhur me deklaratat e përfaqësuesve të opozitës shqiptare, ai tha se nuk i komenton ato.

Zgjedhjet e dyfishta, të cilat do të mbahen në prill dhe maj të këtij viti, do t’i kushtojnë shtetit pothuajse 17 milionë euro, nga të cilat gjashtë milionë euro do të përdoren për punën e Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) dhe për përgatitjet që kanë të bëjnë me realizimin e zgjedhjeve dhe mbi dhjetë milionë euro do të përdoren për reklama politike me pagesë, njoftoi dje KShZ, ku u votuan gjithsej 22 pika të rendit të ditës.

Më 28 janar pritet të formohet Qeveria teknike dhe se do të respektohet marrëveshja që kryeministri të jetë nga radhët e BDI-së, i cili nga kjo parti është propozuar Talat Xhaferi.

Partitë politike të përfaqësuara në Kuvend në mbledhjen e liderëve ranë dakord që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 8 maj, e mërkurë, së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të jetë më 24 prill, po ashtu e mërkurë.

Ndryshe, nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në ditën e votimit duhet të kalojnë jo më pak se 70 ditë dhe jo më shumë se 90 ditë. Nëse janë më 24 prill në raundin e parë dhe 8 maj për raundin e dytë, atëherë shpallja e zgjedhjeve do të duhet të jetë më 27 shkurt, që siguron të paktën 70 ditë deri në zgjedhje.

Të fundit