Në tregjet dhe supermarketet e vendit, konsumatorët theksojnë se çmimet e produkteve bazë ushqimore janë rritur ndjeshëm krahasuar me vitet e kaluara. Shporta minimale, sipas tyre, tashmë kërkon një pjesë dukshëm më të madhe të të ardhurave mujore, ndërsa pagat në shumë sektorë kanë mbetur pothuajse të pandryshuara.
Rritja e tarifave të energjisë elektrike dhe kostos së ngrohjes ka shtuar më tej barrën financiare. Familjet me të ardhura mesatare dhe të ulëta theksojnë se shpenzimet për energji gjatë muajve të dimrit zënë një pjesë disproporcionale të buxhetit, duke lënë më pak hapësirë për nevoja të tjera elementare.
Çka të ju porosisë, duhet të angazhohen që të jetë më lirë. Të shtypin aty ku duhet, te tregëtarët ose kudo që duhet. Që të mundemi të mbijetojmë me këto çmime! Ka pensionerë dhe njerëz me paga më të vogëla, çka do të bëjnë ato?
Ndërkohë, qytetarët apelojnë për masa konkrete që do të stabilizonin çmimet dhe do të lehtësonin barrën financiare, duke theksuar se me ritmin aktual të rritjes së kostos së jetesës, përballimi i shpenzimeve bazë po bëhet gjithnjë e më sfidues.
Një tjetër faktor që po ndikon drejtpërdrejt në koston e jetesës është shtrenjtimi i derivateve të naftës. Rritja e çmimeve të karburanteve ka reflektuar jo vetëm në transport, por edhe në çmimet e produkteve dhe shërbimeve, duke krijuar efekt zinxhiror në të gjithë ekonominë. Qytetarët shprehen se çdo rritje e çmimit të naftës përkthehet menjëherë në shtrenjtim të produkteve bazë. Ekspertët ekonomikë vlerësojnë se inflacioni i lartë, i nxitur nga faktorë të jashtëm si krizat energjetike dhe paqëndrueshmëria në tregjet ndërkombëtare, po reflektohet drejtpërdrejt në ekonomitë e vogla dhe të varura nga importi. Në këtë kontekst, kërkohet ndërhyrje më e theksuar institucionale për të mbrojtur standardin jetësor të qytetarëve dhe për të amortizuar goditjet e tregut.







