27/04/2024
11.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Sfidat dhe premtimet për “Kodrën së Diellit”, flet drejtori i “Elem Turs”, Adem Avziu

Drejtori i “Elem Turs”, Adem Avziu, i cili menaxhon me qendrën turistike “Kodra e Diellit” një intervistë për Portalb.mk flet për vizionin e tij si udhëheqës i ri me këtë qendër turistike. Në mes të tjerash, u diskutua për teleferikun Tetovë-Kodra e Diellit, borën artificiale, mungesën e parkingjeve, mbeturinat, (mos)funksionimin e ski ashensorëve dhe gjithçka tjetër në lidhje me Kodrën e Diellit, shkruan Portalb.mk.

Si drejtor i ri, Adem Avziu theksoi se drejtorinë “bijë” të Elektranave të Maqedonisë, “Elem Turs” e ka gjetur në një gjendje të rëndë financiare, me një borxh prej 74 milion denarësh kurse Kodrën e Diellit me shumë probleme tjera.


“E gjeta në një gjendje financiare jo të volitshme, si kompani operon me humbje me vite të tëra. Me ardhjen time unë Kodrën e Diellit e gjeta me dy ashensor jashtë përdorimit, nuk ishte në funksion as gjashtëulësja por arritëm ta lëshojmë në përdorim edhe këtë edhe dy ulësen në Shën Ilia. Elem Turs për momentin është në humbje prej 74 milion denarësh” theksoi Adem Avziu, drejtor i “Elem Turs”.

Për problemet konkrete të Kodrës së Diellit, gazetari i Portalb.mk rikujtoi Avziut premtimin e Bashkimit Demokratik për Integrim për ndërtimin e një parkingu në këtë qendër turistike.

Ai shtoi se kjo nuk është në kompetencën e “Elem Turs” megjithatë, theksoi se një gjë të tillë e ka diskutuar me kryetaren e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi dhe janë dakorduar të shfrytëzohen në maksimum kapacitetet aktuale.

“Çështja e parkingut nuk është nën kompetencat e Elem Turs. Por me dëshirën për të ofruar sa më shumë kushte për të gjithë skiatorët, takimin e parë e kam pas me kryetaren Arifi dhe kryeshefin e policisë, me qëllim që të maksimizojmë kapacitetet që i kemi për momentin. Në planin e fizibilitetit për Kodrën e Diellit është i paraparë edhe një parking shumëkatësh në këtë qendër skijimi mirëpo kjo është nën kompetencat e Komunës së Tetovës” theksoi Avziu.

Si shpëtim i vetëm nga kaosi i cili krijohet me kolona të gjata në Kodrën e Diellit, sipas ekspertëve është teleferiku Tetovë-Kodra e Diellit. Avziu nuk ishte i bindur dhe nuk premtoi realizimin e këtij projekti, megjithatë, theksoi se vitin e ardhshëm do të filloje projektimi për këtë.

“Realisht në planin e fizibiliteti ekziston edhe çështja e planifikimit dhe investimit për këtë teleferik, ne shpresojmë dhe jemi në bisedime me strukturat qeveritare që të paktën këtë vit ose vitin e ardhshëm që të fillojmë me projektimin e të njëjtit. Unë shpresoj që në bashkëpunim me strukturat qeveritare do të fillojmë të punojmë në këtë drejtim, nuk mund të jap premtime konkrete kohore pasi që nuk është diçka që varet drejtpërdrejt nga “Elem Turs” janë disa institucione të gërshetuara, pozitiviteti i kësaj është se punohet në këtë drejtim” tha Avziu.

Në këtë intervistë u diskutua edhe për mundësinë e realizimit të premtimit të Bashkimit Demokratik për Integrim për borën artificiale në Kodrën e Diellit, për mbeturinat të cilat grumbullohen në hyrje të pjesës kryesore të qendrës turistike, për privatizimin e Kodrës së Diellit, dhe të tjera.

Përveç pyetjeve të Portalb.mk, dashamirët e Kodrës së Diellit kishin mundësi që përmes grupit “Kodra e Diellit Freeriders” ti parashtrojnë pyetje drejtorit të “Elem Turs”, pyetje këto, që gazetari i Portalb.mk ja përcolli drejtorit.

Të fundit