22/04/2024
7.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Shaip Kamberi merr mandat të ri në Kuvendin e Serbisë – Ja rezultatet edhe për kandidatët e tjerë shqiptarë

Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi do të jetë sërish zëri i shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Kuvendin e Serbisë.

Gazetari i RTK-së, Alban Selimi sapo ka bërë të ditura rezultatet e votimeve në Luginë, ku Shaip Kamberi me listën “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon” ka fituar 11.500 vota, e të cilat janë të mjaftueshme për mandatin e ri në Kuvendin e Serbisë.

Në një deklaratë ekskluzive për RTK-në, Shaip Kamberi ka konfirmuar se kanë votat e mjaftueshme për mandatin e ri në parlamentin serb.

“Me rezultatet që disponojmë tani, i kemi diku 11.500 vota të koalicionit tonë. 6 mijë vota i kemi në Bujanoc dhe 5 mijë vota në Preshevë. Faktikisht koalicioni ynë ka arritur të sigurojë një mandat, pasi me nivelin e daljes që e kemi në tërë territorin e Serbisë, që do të duhej të ishin të mjaftueshme mbi 10 mijë vota, por në rastin e listave të pakicave kjo tani shumëzohet me plus 35 përqind, që do të thotë se ne i kemi mbi 13 mijë vota e që janë të mjaftueshme për një mandat”, ka theksuar Kamberi.

Ai më tej ka folur edhe për garën zgjedhore, ku shqiptarët janë paraqitur të ndarë në dy lista zgjedhore.

“Gara ka qenë e vështirë për faktin se ne edhe vitin e kaluar kishim zgjedhje, e të cilat u desht të përsëriten 5 herë në një vendvotim sepse kemi të bëjmë me një shtet që nuk pranon që pakicave t’u jape vendin që e meritojnë. Në anën tjetër kishim një garë të brendshme, një konkurrencë jo lojale, me sharje me shpifje ndaj nesh. Por bashkë me partnerët e koalicionit ne ishim të orientuar që të bindim votuesit shqiptarë që të dalin në zgjedhje dhe të zgjedhin përfaqësuesin e vet në parlament”, ka shtuar Kamberi.

Në fund, zëri i shqiptarëve të Luginës së Preshevës në parlamentin e Serbisë ka falënderuar të gjithë shqiptarët që sot shfrytëzuan të drejtën e tyre në këto zgjedhje.

“Shfrytëzoj momentin të falënderoj secilin votues që ka harxhuar kohën e vet për të dalë në votime në këtë ditë dimri. Të gjithë ata që kanë ardhur nga Kosova që ta ndihmojnë vatanin e vet dhe të gjithë ata të tjerët që kanë ndihmuar procesin tonë për ta siguruar një mandat”, ka nënvizuar Kamberi.

Ndërkohë, Alternativa Demokratike Shqiptare e udhëhqur nga Shqiprim Arifit në këto zgjedhje ka marrë vetëm 1,250 vota.

Të fundit