25/07/2024
15.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

SHBA dhe Franca, thirrje qeverisë së re në Shkup të respektojë obligimet ndërkombëtare

Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) i bëjnë thirrje qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut që të mbetet e fokusuar në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe të respektojë detyrimet e saj ndërkombëtare. Kjo është pjesë e udhërrëfyesit amerikano-francez të publikuar nga Shtëpia e Bardhë më 8 qershor të këtij viti, e cila u përcaktua nga presidenti amerikan Joe Biden dhe presidenti francez Emmanuel Macron në takimin e disa ditëve në Francë, transmeton Portalb.mk.

Në pjesën e udhërrëfyesit që përmend Ballkanin Perëndimor, Parisi dhe Uashingtoni, ndër të tjera, mirëpresin bashkëpunimin për integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian me synimin, siç tregohet, rritjen e prosperitetit dhe forcimin e qeverisjes demokratike dhe sundimit të ligji.

“Ata i bëjnë thirrje qeverisë së re në Maqedoninë e Veriut që të mbetet e fokusuar në rrugën drejt BE-së dhe të respektojë detyrimet e saj ndërkombëtare”, thuhet në pjesën e dokumentit të fokusuar në Ballkanin Perëndimor.

Thirrja e SHBA-së dhe Francës është pjesë e serisë së reagimeve të komunitetit ndërkombëtar në periudhën e kaluar që pasuan pas betimit që presidentja e re e vendit, Gordana Siljanovska-Davkova, gjatë marrjes së detyrës, përmendi vetëm emrin Maqedoni në vend të emrit kushtetues të shtetit.

Më herët gjatë ditës së djeshme, në një kolumnë të përbashkët bënë thirrje për respektimin e Marrëveshjes së Prespës, ish-ministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras, nën udhëheqjen e qeverive të të cilëve edhe u arrit kjo marrëveshje. Në kolumnën e përbashkët për “Euractive”, ata i bëjnë thirrje BE-së dhe komunitetit ndërkombëtar që të bëjnë të qartë se respektimi i Marrëveshjes është rruga e vetme e vendit drejt procesit të anëtarësimit në BE.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut ka qenë kandidate anëtarësimi në BE që nga viti 2005. Por fillimi i bisedimeve të anëtarësimit u shty për shkak të konfliktit të emrit me Greqinë. Në vitin 2017 u arrit marrëveshje me Greqinë për ndryshimin e emrit, që në vitin 2019 edhe u zbatua. Athina këmbënguli për ndryshimin e emrit Maqedoni, pasi një rajon në veri të Greqisë mban po këtë emër. Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës është e një rëndësie të madhe, pasi menjëherë pas arritjes së saj Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s.

Të fundit