24/05/2024
11.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Shefi i diplomacisë dhe kryesues i OSBE-së Osmani për vizitë në Kosovë

Kryesuesi OSBE-së dhe ministër i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot do të qëndrojë në Prishtinë, ku do të realizojë takime me presidenten Vjosa Osmani Sadriu, me kryeministrin Albin Kurti, si dhe me zëvendëskryeministren dhe ministre e Punëve të Jashtme, Donika Gervala Shvarc.

Siç bëri të ditur MPJ-ja,  në takimet Osmani do t’i referohet mbështetjes së OSBE-së për reformat e institucioneve dhe komuniteteve të Kosovës, të cilat së bashku me Misionin e OSBE-së në Kosovë kanë bërë përparim të dukshëm në promovimin e institucioneve funksionale demokratike, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.

Përveç takimeve zyrtare, kryesyesi Osmani së bashku me kryeministrin Kurti do ta vizitojë edhe Akademinë e Sigurisë Publike ku do të takohet me kadetët policorë të komuniteteve pakicë. Është planifikuar edhe një vizitë në Qendrën Rajonale të OSBE-së në Mitrovicë, ku Osmani do të marrë pjesë në një debat me organizatat rinore të shoqërisë civile.

Ministri Osmani në Prishtinë vjen pas vizitës në Beograd, ku dje në konferencë për shtyp pas takimit me Daçiqin deklaroi se OSBE-ja i mbështet proceset e reformave, luftën kundër korrupsionit dhe pajtimin rajonal, ndërsa dialogu është një mjet efikas që është reflektuar edhe përmes shembullit me Maqedoninë e Veriut.

“Nuk mund të ndalemi asnjëherë së biseduari për gjërat që janë të rëndësishme dhe për dialogun ndërmjet  Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e BE-së, jemi të kënaqur që kemi qenë nikoqirë të Marrëveshjes së Ohrit, e cila do të kontribuojë në vazhdimin e këtij procesi dhe stabilitetin rajonal. Këtë mbështetje do ta përsëris edhe nesër kur do të vizitoj Prishtinën. OSBE e sheh veten si platformë për promovimin e interesave njerëzore dhe fokusi ynë është paqja dhe prosperiteti”, deklaroi Osmani në Beograd.

Të fundit