05/03/2024
7.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Shkolla ku telefonat janë të ndaluar

Që nga viti 2020 e këndej për nxënësit e Shkollës Fillore “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, të fshatit Poroj është e ndaluar që në shkollë të vijnë me telefona celularë. Këtë vendim drejtoria e shkollës tashmë që katër vite po e aplikon dhe kjo ka ndikuar dukshëm në përmirësimin e procesit edukativo arsimor. Ndonëse në fillim ishte e vështirë për nxënësit që të adaptohen me këtë ndalesë, megjithatë ata thonë se kjo ndikon pozitivisht në ngritjen arsimore të tyre. “Mendoj se është i nevojshëm ky projekt sepse ne si nxënës vijmë më të koncentruar në mësim, nuk ka keqpërdorime, dhe jemi më të rehatshëm. Falënderoj drejtorinë e shkollës që ka këmbëngul që ky vendim të respektohet. Në fillim kishte pak vështirësi sepse nxënësit kishin krijuar varshmëri, por tashmë këtë problem nuk e kanë”, tha Anesa Mustafai, nxënëse.

Drejtoria e shkollës këtë vendim e ka marrë në bashkëpunim me këshillin e shkollës, këshillin e prindërve duke qenë ndër shkollat e para në vend që nxënësve u ndalohet të mbajnë celularë në shkollë. Drejtori Bujar Islami, shprehet se ky vendim është mirëpritur edhe nga prindërit ndërsa tashmë nxënësit janë më shumë të përkushtuar në procesin edukativo arsimor.

“Vendosëm bashkërisht që nxënësit gjatë kohës sa janë në shkollë të mos mbajnë celularë. Arritëm që për një kohë të shkurtër të vendosim këtë rregull dhe që nga viti 2020 asnjë nxënës nuk vjen në shkollë me celularë. Deri tash ky vendim respektohet dhe kemi edhe një komision që e mbikëqyrë vendimin se sa respektohet”, tha drejtori Bujar Islami.

Sipas mësimdhënësve shumë përfitime për nxënësit ka mos përdorimi i celularëve, ndërsa kjo ndikon edhe në risocializimin e tyre gjatë qëndrimit në shkollë. Kjo ka bërë që të ngritet edhe edukata tek nxënësit por edhe koncentrimi të jetë më i mirë, thonë mësueset, të cilët shprehen se pas katër vitesh, tashmë efektet janë pozitive.

“Për kaq kohë sa jemi duke e aplikuar këtë vendim, rezultatet jemi duke i vërejtur çdo ditë e më shumë. Pra, kjo në një mënyrë shërben edhe masë parandaluese për problemet që mund të shfaqen mes nxënësve nga keqpërdorimet e mundshme, poashtu ndikon edhe në koncetrimin e nxënësve gjatë procesit mësimor”, thotë profesoresha Valmira Bajrami.

Por si ja bëjnë nxënësit dhe prindërit në raste urgjente. Edhe për këtë shkolla ka gjetur zgjidhje. Ka siguruar telefona vet shkolla dhe nëse nxënësi ka nevojë për prindërit ose anasjelltas, atëherë mund të përdorë telefonin e shkollës. “Kemi siguruar telefona që janë në dispozicion çdo kohë dhe çdo moment dhe fëmijët me prindërit mundet shumë shpejt të bien në kontakt, por edhe anasjelltas, nxënësit kanë mundësi që shumë shpejt të kontaktojnë me prindërit”, tha drejtori Islami. Ndërkaq, kjo shkollë, tashmë ka zgjidhur problemin me uniformat e nxënësve dhe tashmë një kohë të gjatë të gjithë nxënësit vijnë me uniforma.

Ndryshe, në kuadër të kësaj shkolle funksionojnë edhe shkollat periferike në Xhepçisht dhe fshatin Xhermë. Në të tre shkollat, vendimi për ndalimin e përdorimit të celularëve po zhvillohet pa probleme dhe tashmë nxënësit më shumë janë duke u përkushtuar në mësim se sa në rrjete sociale.

Të fundit