11/10/2024
19.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Shkrijel: Të drejtat e qytetarëve janë të garantuara, pagesat për kategoritë e ndjeshme janë të sigurta

Funksionimi i institucioneve duhet të jetë prioritet, nuk do të lejojmë që qytetarët të jenë viktima të zënkave ndërpartiake. Të gjitha proceset reformuese, të gjitha të drejtat nga sfera e mbrojtjes sociale, sigurisë sociale të të moshuarve do të vazhdojnë të paguhen rregullisht sipas dinamikës së vendosur, deklaroi sot në konferencën për shtyp zëvendësministrja plotësuese në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, Sanella Shkrijel.

“MPPS-ja ka ministre të re teknike nga partia opozitare dhe ka zëvendës ministre plotësuese. Dëshirojmë t’i bindim qytetarët se kjo në njëfarë mënyre nuk do të ndikojë dhe do të reflektojë negativisht ndaj të gjitha proceseve reformuese të cilat tashmë kanë filluar në Ministri. Të gjitha të drejtat të cilat janë nga sfera e socialit, mbrojtjes fëmijërore, sigurisë sociale të të moshuarve do të vazhdojnë edhe më tutje të paguhen rregullisht sipas dinamikës tashmë të vendosur të MPPS-së” , tha Shkrijel.

Ajo vlerësoi se reforma sociale të cilën e zbatoi dhe e filloi ekipi i Ministrisë para dy vite e gjysmë është faktikisht një nga politikat më të suksesshme të kësaj qeverie dhe numrat flasin vetë për këtë.

“Kjo nënkupton se mbi 27 mijë familje marrin mesatarisht 300 për qind vlerë më të madhe për ndihmë sociale. Mbi 27.000 fëmijë marrin shtesë fëmijërore, mbi 8.500 fëmijë marrin shtesë arsimore, ndërsa të drejtë për pension social marrin dhe kanë realizuar 4.171 persona të rritur. Këto të drejta nuk do të lejojmë që askush t’ua marrë qytetarëve e as të lejojmë që të vendosen para ndonjë presioni në drejtim të realizimit të cilitdo interes”, theksoi ajo.

Shkrijel iu bëri thirrje punëtorëve të falimentuar që prej nesër të parashtrojnë kërkesa sipas ndryshimeve të fundit të Ligjit për sigurim material të personave të papunë për shkak të privatizimit të ndërmarrjeve në pronësi shtetërore të cilat Kuvendi i miratoi.

“Presim që së paku 1.000 punëtorë të falimentuar ta realizojnë këtë të drejtë për kontribut mujor prej 8.000 denarëve deri në pensionim. Kemi përfshirë gjithsej 12.000 punëtorë të falimentuar. Gjithmonë në vend të parë janë qytetarët”, tha Shkrijel e cila i bëri thirrje ministres Rashella Mizrahi për konstruktivitet dhe bashkëpunim.

Shkrijel tha se është në komunikim të rregullt me ministren Mizrahi dhe se qytetarët nuk duhet të shqetësohen sa i përket pagesës së transfereve sociale.

Në kontekst të problemeve në pjesën e pagesës së kujdesit nga një person tjetër ajo tha se janë formuar 15 komisione nga mjekë dhe specialistë përgjatë gjithë shtetit, që të mos ketë bllokadë dhe se lëndët nuk janë bllokuar dhe kanë afat për zgjidhje.

Të fundit