Shpërndahet Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Më 12 prill vendi shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Seancën për shpërndarjen e Kuvendit deputetët e shfrytëzuan për të rrahur gjoks mbi politikat partiake. Talat Xhaferi në emër të BDI-së tha se në këtë mandat janë realizuar të gjitha përcaktimet programore të integristëve.
BDI pikësynim e kishte rregullimin e çështjes së përdorimit të gjuhës shqipe në mënyrë të barabartë në të gjitha nivelet e institucionet shtetërore. BDI kushtëzoi koalicionimet me ecjen në rrugën euroatlantike që zaten rezulton edhe me përcaktimet strategjike të këtij vendi, që qytetarët e këtij vendi të janë anëtarë të plotfuqishëm në NATO dhe BE – tha Talat Xhaferi, Deputet i BDI-së.
Koordinatori i LSDM-së, Jovan Mitrevski tha se më 12 prill qytetarët do t’i besojnë edhe një mandat LSDM-së, me qëllim vazhdimin e politikave integruese.
Qytetarët do të ballafaqohen me dy politika diametralisht të kundërta. Njëra është politika që e bën LSDM ajo e prosperitet ku rëndësi të parë ka qytetari, jeta e tyre si dhe përparimi i vendit. Për përcaktimin tjetër sot nuk do të flas sepse e kan të qartë të gjithë tashmë – u shpreh Jovan Mitrevski, Deputet i LSDM-së.
Udhëheqësi i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski tha se sot merr fund Qeveria e inkriminuar e Zoran Zaevit.
Sot i japim fund të keqes në të cilën gjendet vendi dhe qytetarët bashkë me ne si deputet të VMRO-DPMNE-së të cilët ishim dëshmitarë të Qeverisë më të keqe dhe më të korruptuar në histori të Maqedonisë – deklaroi Nikolla Micevski, Deputet i VMRO-DPMNE-së.
Gjatë votimit për shpërndarjen e Kuvendit, në sallë nuk ishin 7 nga 8 deputetët e grupit të pavarur nga VMRO-DPMNE-ja. Në fund deputetët e shumicës u përshëndetën me kreun e Kuvendit, ndërsa opozita lëshoi sallën. Kjo shumicë parlamentare la pas veti dhjetëra ligje të pa miratuara. Formimi i saj erdhi në momente të dhunshme dhe të përgjakshme duke i pasuar bllokadës disa mujore nga ana e VMRO-DPMNE-së e cila nuk lejonte konstituimin e Kuvendit.