28/05/2024
11.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

“Shpronësimi” në Tetovë, amullia vazhdon tutje

Lufta e Komunës së Tetovës me palën që iu shpronësua toka, nuk ka fund. Pas zbrazjes së buxhetit në emër të vonesave të kamatës me 1.1 milionë euro, tani komuna rrezikon të mbetet edhe pa 500 mijë euro të tjera.

“Edhe më tutje amullia vazhdon. Ne kemi kërkuar nga përmbaruesi dhe ministria e Financave që të na informojnë se a është përmbyllur pagesa për këtë lëndë, por ende nuk kemi përgjigje zyrtare. Disa thonë po është mbyll disa thonë se ka ende kamata për tu llogaritur që mund të shkojnë deri në 500 000 euro, pra ende nga Ministria s`ka përgjigje por as edhe nga përmbaruesi i cili e ka obligim ligjor që me përmbylljen e përmbarimit ta informojë komunën dhe të sjellë raportet e fazave të përmbarimit por deri më sot nuk ka një përgjigje të tillë”, tha Bilall Kasami. Kryetar i komunës së Tetovës.

Ndërkohë menjëherë pas tërheqjes së shumës së parë të parave nga pronari i tokës, komuna e Tetovës kërkoi nga Gjykata që të përcaktojë masë të përkohshme deri në zgjidhjen e rastit, por një vendim i tillë nuk u miratua asnjëherë. Kështu, pala e cila për një tokë që vlente vetëm 50.000 euro, ka tërhequr më shumë se 1 milion euro.

“Fillimi i marrjes së parave nga buxheti i komunës ka filluar në dhjetor të 2021, dhe asokohe të gjitha mjetet që kanë qenë në xhirollogari të komunës janë marrë nga përmbaruesi pra 13 milion denarë. Dhe në vitin 2022 gjithsej janë marrë 53 milion denarë, pra në total për dy vite janë marrë 66 milion denarë apo 1.1 milion euro”, u shpreh Bilall Kasami. Kryetar i komunës së Tetovës.

Sipas Kasamit, rreziku më i madh është tani se, edhe po të marrë gjyqi vendim të ri në favor të komunës që pala t`i kthejë paratë, duke u bazuar në faktin se bisedohet për person fizik, do të jetë tejet problematike që komuna t`i kthej këto para. Kasami apelon që rasti të hetohet, sepse sipas tij, në këtë rast janë të përfshirë më shumë njerëz, të cilët me qëllim kanë shmangur ankesat në vendimet që janë marrë, me qëllim që shuma e përfituar të jetë sa më e madhe. /Alsat.mk

Të fundit