19/06/2024
20.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

Shqipëri; Nuk ndalojnë çmimet e ushqimeve, bulmeti kryeson, rritje vjetore me 28% në shkurt

Kriza në sektorin e blegtorisë po krijon një çrregullim sistematik në tregun vendas.

Pamjaftueshmëria e furnizimeve me bulmet po sjell rritje të çmimeve të qumështit dhe nënprodukteve të tij nga muaji në muaj, teksa prodhimet vendase tani po konkurrohen nga markat prestigjioze të importit.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në muajin shkurt 2023 çmimet e qumështit, djathit dhe vezëve pësuan rritje vjetore me 28%, ritmet më të larta se në të gjithë artikujt e tjerë të shportës. Në krahasim me muajin e kaluar çmimet e qumështit dhe djathit u rriten me 1.4 për qind.

Problemet strukturore të bujqësisë dhe blegtorisë po bëhen shkak për çrregullime të çmimeve që vijnë nga tregjet e brendshme. Por gjithashtu çmimet nga tregjet ndërkombëtare përçohen në nivele më të larta se ndryshimet reale.

Grupi i dytë me rritjen më të madhe te çmimeve ishte “vajra dhe yndyrna” me rritje vjetore 17.4 %, i ndikuar po nga qumështi për shkak të rritjes së lartë të çmimit të gjalpit nga prodhimi vendas.

Në muajin shkurt, peshku ishte i treti për nga norma e lartë e rritjes së çmimit, me 16.3 % në krahasim me shkurtin 2022. Më tej, buka, mishi dhe sheqeri dhe ushqimet e tjera të përpunuara u rriten me ritme dyshifrore 13-15%.

Në pjesën dërrmuese të 46 grupeve të mallrave dhe shërbimeve rritja e çmimeve ka qenë në rekorde historike mbi objektivin e inflacionit të Bankës së Shqipërisë 8.3 për qind.

Nga shërbimet, rritjen më të lartë e kishte sektori i transportit me 9.3%, si rrjedhojë e rritjes së çmimit në naftës në rekorde historike pas luftës në Ukrainë.

Në të kundërt ishin vetëm pak artikuj që kishin pësuan ulje të çmimeve. Mjetet e transportit, shërbimet e argëtimit dhe pjesët audiovizive dhe frutat shënuan ulje.

Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerësoi së fundmi se efektet e inflacionit në Shqipëri dhe në Ballkan janë më të ashpra se në BE, pasi rritja po udhëhiqet nga çmimet e ushqimeve, ndryshe nga Europa që po ndikohet nga energjia.

Pesha e ushqimeve në shpenzimet mujore në Ballkan është 42 për qind e shpenzimeve mujore vë në dukje studimi i FMN-së. Të dhënat nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor (Serbia, Shqipëria, Bosnja, Maqedonia, Mali i Zi dhe Kosova) tregojnë se rritja e çmimeve ka qenë më e fortë për grupin e produkteve ushqimore duke e bërë më të ashpër rritjen e çmimeve në një Rajon ku varfëria është ende në nivele të larta./Monitor/

Të fundit