17/06/2024
20.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

Shqipëria merr presidencën e KS në OKB, Osmani: Të qëndrojmë bashkë!

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Shqipërinë për marrjen nga 1 shtatori të Presidencës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Mesazhi i saj virtual iu drejtua presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe kryeministrit Edi Rama.

“Suksese, Presidenti Bajram Begaj dhe Kryeministri Edi Rama, me marrjen nga Shqipëria të presidencës së KS në OKB. Në këtë kohë vendimtare për paqen dhe sigurinë është e rëndësishme që të qëndrojmë të bashkuar në promovimin e vlerave globale të përbashkëta demokratike,” shkroi Osmani në rrjetin social X.

Sivjet është hera e dytë që Shqipëria merr kryesinë e Këshillit të Sigurimit pas janarit 2021.

Ministrja   për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, deklaroi të enjten (31 gusht) se vendi do të ketë dy prioritete këtë herë.

“Së pari, është një nismë tejet e rëndësishme dhe inovative, për të cilën punojmë prej thuajse dy vjetësh, dhe që e kemi përfshirë në agjendën e Këshillit për muajin shtator. Bëhet fjalë për një përpjekje ambicioze dhe shumë sfiduese për të garantuar shpërndarjen e shpejtë dhe efektive të ndihmave humanitare kudo në botë në kohë krizash, qoftë në situata lufte, qoftë në situata katastrofash natyrore.

Aktiviteti tjetër shënjues i presidencës tonë natyrisht do t’i kushtohet agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës. Kjo është një nga çështjet me të cilat ne kemi punuar më shumë, si bashkëpenëmbajtës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një çështje e cila realisht ka shënjuar mandatin tonë dhe ka bërë që Shqipëria të fitojë respektin dhe admirimin e partnerëve e aleatëve për seriozitetin, profesionalizmin dhe guximin me të cilin ka punuar për të mbështetur ligjin ndërkombëtar, Kartën e OKB, Ukrainën e për të dënuar Rusinë,” tha ministrja Xhaçka.

Të fundit