18/05/2024
22.5 C
Tetovo

Të tjera lajme

Sonte në Tetovë mbahet “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”

Sonte (6 mars) me fillim në ora 19:00 në Qendrën për Kulturë në Tetovë, për nder të luftës së Kosovës dhe sakrificës heroike të familjes Jashari, në këtë 25 vjetor për herë të parë organizohet Akademia përkujtimore “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, nga Komuna e Tetovës, raporton Portalb.mk.

Në këtë ngjarje pritet të marrin pjesë Lulzim Jashari, djali i komandantit Adem Jashari, Kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, historiani Hakif Bajrami,studiuesi Elvis Hoxha si dhe personalitete të tjera.

“Tetova përkujton 25 vjetorin e sakrificës heroike të familjes Jashari! Jasharajt janë vetë historia dhe madhështia e kombit shqiptar”, shkroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Këtë 5, 6 dhe 7 mars shënohet 25 vjetori i rënies heroike të komandantit Adem Jasharit, familjes së tij në Prekaz të Drenicës.

Mesazhe me rastin e këtij 25 vjetori janë dërguar nga trojet shqiptare.

Ndryshe, që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar nga forcat paramilitare serbe. Synimi ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën po ia bënin regjimit të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.

Më 30 dhjetor të vitit 1991 kryhet sulmi i parë ndaj familjes Jashari.

Ndërsa sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kryen në muajin janar, 1998. Më 22 janar forcat serbe sulmuan familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i rezistuan.

Sulmi i tretë, që ndodhi më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, mori jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i mbijetoi vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia del që mes datës 5-6 mars të largohet nga rrethina dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila pa dhe përjetoi tmerrin derisa vriteshin anëtarët e familjes së saj.

Më 24 mars të vitit 1999, me urdhër të ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana filluan sulmet ajrore të forcave të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi.

Pas 78 ditësh bombardime të NATO-s, Sllobodan Millosheviqi, në atë kohë president i Serbisë, u dorëzua në qershorin e vitit 1999 dhe pranoi Marrëveshjen e Kumanovës.

Më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit miratoi Rezolutën 1244, me të cilën vendosi administratën e përkohshme të OKB-së në Kosovë dhe fuqizoi praninë ushtarake të KFOR-it.

Kosova, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, ndërtoi institucionet e saj, të cilat më 17 shkurt të vitit 2008, shpalli pavarësinë e Kosovës.

Të fundit