Të tjera lajme

SPB ; Kronika e zezë për ditën e djeshme 03 Prill Tetovë dhe Gostivar

Dje, në orën 08:50, në rrugën rajonale Shkup – Tetovë, tek kryqëzimi për fshatin Grupçin, zyrtarët policorë kanë privuar nga liria një 26-vjeçar nga fshati Cerovë. Ai është kapur duke drejtuar automjetin e udhëtarëve „Ford“ me targa të Tetovës pa leje drejtimi. Automjeti është konfiskuar përkohësisht.

Gjithashtu, sot në orën 03:30 të mëngjesit, zyrtarët policorë nga Stacioni Policor për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor Gostivar kanë privuar nga liria një 57-vjeçar nga fshati Banjicë e Poshtme. Ai drejtonte automjetin „Renault“ me targa të Gostivarit pa leje drejtimi. Ndaj të dy personave do të ngrihen padi sipas nenit 297-a të Kodit Penal për „drejtim të pakujdesshëm të automjetit motorik“.
…..
Sot pas mesnate në orën 00:55, në rrugën „113“ në Tetovë, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria një 32-vjeçar nga Tetova. Gjatë kontrollit, tek ai është gjetur një lëndë pluhur i bardhë. Ai është ndaluar në stacionin policor për procedurë të mëtejshme.
……..
Dje në SPB Tetovë, mkë 38-vjeçar nga Shkupi, punonjës në një firmë nga fshati Vrapçishtë, ka denoncuar një mashtrim kompjuterik ndaj subjektit juridik. Gjegjësisht, gjatë porosisë së mallrave nga një firmë e huaj, përmes ndërhyrjes në komunikimin elektronik, të dëmtuarit janë vënë në lajthitje nga kryerës të panjohur për të transferuar 13.572 euro në një llogari bankare të rreme. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.

…….Dje dhe sot, janë kryer kontrolle aksion në një objekt hotelerik në fshatin Debresh të Gostivarit. Gjatë kontrollit është ndaluar një 43-vjeçare shtetase e Shqipërisë, për shkak të keqpërdorimit të qëndrimit turistik.
Në të njëjtën kohë, në Tetovë është kryer kontroll në tre objekte pranë një shkolle të mesme, ku janë konstatuar shkelje të Ligjit për pirjen e duhanit. Tek një i mitur nga fshati Çiflik është gjetur një shufër metalike, e cila është konfiskuar, ndërsa me të, në prani të prindit, është zhvilluar bisedë zyrtare.
……
Sot pas mesnate në orën 01:21, një 29-vjeçar nga fshati Bërvenicë ka denoncuar se në rrugën „Dubrava“ është sulmuar fizikisht. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.
……
Dje në orën 20:45, një 48-vjeçar nga Tetova ka denoncuar se djali i tij i mitur është sulmuar fizikisht nga disa bashkënxënës në oborrin e një shkolle të mesme në Tetovë. Sipas denoncimit, i mituri është sulmuar me sende të forta, me ç’rast pas sulmit i është dhënë ndihmë mjekësore në Spitalin Klinik të Tetovës. Po ndërmerren masa për identifikimin e të gjithë të përfshirëve në incident dhe zbardhjen e plotë të rastit.
……
Dje në orën 21:26, në SPB Tetovë një grua 31-vjeçare nga Tetova ka denoncuar se në shtëpinë e tyre familjare është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj 31-vjeçar. Menjëherë pas kësaj, 31-vjeçari është privuar nga liria dhe është ndaluar në stacionin policor, dhe pas dokumentimit të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse.

Të fundit