.Pas viteve anulime dhe pasiguri, një nga projektet më të rëndësishme në rajon përfundimisht fitoi një fillim të ri. Me vendosjen e gurrthemelit të interkoneksionit Manastir – Elbasan, bëhet hapi vendimtar drejt lidhjes së plootë energjetike dhe integrimi më i fuqishëm në rrjetin evropian. Fillimi I projektit është përshëndetur edhe nga koalicioni VLEN.
Pas vitesh ngecjeje dhe zvarritjeje, interkoneksioni 400 kiloVoltësh mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë tashmë po hyn në fazën e realizimit – thonë nga koalicioni VLEN.
Sipas tyre, bëhet fjalë për një projekt me peshë strategjike për vendin dhe rajonin, që forcon lidhjen mes dy shteteve dhe i jep shtysë të re bashkëpunimit energjetik.
‘Ky projekt ka peshë të shumëfishtë. Ai forcon sigurinë energjetike, rrit stabilitetin e sistemit të transmetimit dhe hap mundësi të reja për integrim më të thellë në tregun rajonal dhe evropian të energjisë. Në të njëjtën kohë, me këtë interkoneksion po mbyllet edhe hallka e fundit energjetike e Korridorit 8 Pan-Evropian, duke i dhënë vendit lidhje më të fortë infrastrukturore dhe energjetike me Shqipërinë” – thuhet në komunikatën e VLEN-it.
Sipas VLEN, nuk është rastësi që drejtori i përgjithshëm i SHA MEPSO, Burim Latifi, e cilësoi këtë interkoneksion si urë besimi dhe bashkëpunimi mes dy vendeve, si një lidhje energjetike të natyrshme, të domosdoshme dhe largpamëse.
Për vite me radhë kemi dëgjuar shumë për projekte strategjike, por kemi parë fare pak vepra, thonë nga VLEN, duke shtuar se sot dallimi shihet qartë. Dikush i përdorte këto tema për propagandë, ndërsa sot ato po konkretizohen. Për VLEN-in, kjo është rruga e duhur, më pak fjalë, më pak zhurmë dhe vetëm punë – thuhet në komunikatën e VLEN.







