01/05/2024
11.3 C
Tetovo

Të tjera lajme

Tetë vite pa pishtarin e arsimit Miftar Abdiu

U tronditëm dhe u trishtuam kur mësuam për vdekjen e papritur të arsimtarit, sot tetë vite më parë. Ai kishte kohë për të gjithë, na këshillonte, na udhëzonte. Nuk mund të them me fjalë atë që profesori ka bërë për nxënësit dhe të gjithë ata që e njohën. Ne e humbëm atë fizikisht por nuk e humbëm atë si model frymëzimi në jetën tonë.

Profesor Miftar Abdiu do të mbahet mend mes nesh si një njeri me mençuri, kurajo dhe ndihma që na jepte gjithmonë.

Më 14 shtator të vitit 2011 thuajse gjithçka u ngrys, ashtu siç u ngrysën fytyrat tona. E imagjinoja fotografinë e arsimtarit dhe thosha në vete se atë do ta mbaj përjetësisht në kujtesën time.

Sot mbushen tetë vite që kur ndërroi jetë profesor Miftar Abdiu, ka qenë një intelektual i kompletuar dhe vdekja e tij ishte dhe vazhdon të jetë një humbje e madhe, pasi kemi pasur ende nevojë për të, për mësuesit e tillë kemi nevojë gjithmonë.

Profesor Miftari tërë jetën ka qenë i tërhequr nga jeta publike dhe hyn në radhën e njerëzve që kanë vlera më shumë se sa i ekspozojnë, ose fare nuk përpiqen për vetë marketing. Një mësues i dalluar në punë, mësues me shumë mirënjohje për punën e tij. Ai për ne ka mbetur gjithmonë pedagog, mësues, dinjitoz dhe i patejkalueshëm. Respekti për të nuk është zbehur në asnjë periudhë të mëvonshme jetësore. Ai ishte madhështor, ishte frymëzim e model për mua dhe për të rinjtë në përgjithësi. I shenjtë do të mbetet ai dhe e shenjtë do të mbetet vepra e rruga e drejtë e tij. Shenjtëria e tij e bënte të madh atë: vizionar, të afërt e të dashur – në përjetësi. Deri më sot ende nuk u gjet një nxënës të mos flasë me respekt për të?! Të gjithë ish-nxenësit e profesorit mburren me të.

Profesor Miftar Abdiu ishte autor i shumë teksteve shkollore, alabanolog, lektor dhe pedagog shumë vjeçar.

Miftar Abdiu lindi në fshatin Bogovinë, në vitin 1947. Shkollën fillore e kreu në shkollën fillore Liria në Tetovë, shkollën e mesme në Gjimnazin e Tetovës në paralalet pedagogjike, ndërsa shkollën e lartë pedagogjike dhe fakultetin në drejtimin gjuhë dhe letërsi shqipe në Shkup.

Miftar Abdiu karrierën e tij arsimore e filloi në shkollën fillore të fshatit Pallaticë, kurse gjatë gjithë jetës më pas ka punuar në shkollën fillore Naim Frashëri në Tetovë, ku u dëshmua si pedagog dhe gjuhtar i vyeshëm në edukimin e shumë gjeneratave për 42 vite me radhë.

Gjatë gjithë kësaj kohe ka dhënë një kontribut të jashtë zakonshëm në edukimin dhe arsimimin e brezit të ri. Ai ishte mësimdhënës i veçantë, sepse si rrallë kush është angazhuar vazhdimisht me tërë qenien e tij për edukimin e nxënësve. Gjatë kësaj kohe, ka qenë i angazhuar dukshëm në përgatitjen e grupeve të ndryshme që vepronin në këtë shkollë në lëminë e gjuhësisë për cka edhe është shpërblyer dhe dekoruar disa herë.

Gjatë gjithë jetës së tij është marrë me lekturë dhe përpilim të teksteve shkollore në lëndën e gjuhës dhe letërsisë shqipe.

Në Mars të vitit 2008, në shënimin e ditës së Komunës së Tetovës, Miftar Abdiu dekorohet me çmimin për kontributin e veçantë në fushën e afirmimit të gjuhës shqipe, leterësisë dhe kulturës si dhe për kontributin shumë vjeçar në proçesin edukativo arsimor. Abdiu krahas aktivitetit të tij në shkollë dhe në jetën kulturore-edukative ai një kontribut të jashtë zakonshëm ka dhënë edhe në Televizionin Koha – Tetovë që nga themelimi duke u angazhuar si lektor i shumë emisioneve, dokumentareve dhe programeve të ndryshme. Viteve tëfundit ishte i angazhuar edhe në jurinë profesionale të festivalit për fëmijë ” Bletëzat”.

Profesor Miftari, vdiq si çvdesin njerëzit e mëdhenj, pasi ka lënë pas vetes një kontribut të madh në arsim. Ai, u nda nga jeta vetëm disa ditë pas pensionimit, por vetëm fizikisht nuk është mes nesh. Vepra e arsimtarit do të jetë e pranishme dhe udhë rrëfyese për ne.

Shkruan: Donika Bakiu

Të fundit