17/06/2024
18.3 C
Tetovo

Të tjera lajme

Tetovë, edhe dy seanca kanë mbetur për verdiktin në gjykimin për zjarrin në spitalin modular

Edhe dy seanca duhet të mbahen që të jepet vendimi i gjykimit për zjarrin në spitalin modular të Tetovës. Kjo sot u theksua nga gjykata pas përfundimit të seancës së dhjetë, ku dëshmuan katër dëshmitarë të tjerë, dy ekspertë nga Fakulteti Elektroteknik në Shkup të propozuar nga prokuroria së bashku me mbrojtjen e mjekut Boban Vuçevski, dhe dy motra medicinale të propozuar nga ky i fundit, shkruan Portalb.mk.

Eksperti Vllatko Stoilkov, theksoi se kanë analizuar nëse instalimi i rrymës në spitalin modular ka qenë në përputhje me standardet, por, siç theksoi, ka qenë e pamundur kjo të konstatohet për shkak të djegies. Andaj për këtë, siç tha, kanë parë instalimin në spitalin modular të Gostivarit dhe të Kavadarit, ku tha se instalimi i brendshëm elektrik ka qenë sipas rregullores.

Të njëjtën e pohoi edhe Vlladimir Dimçev, eksperti tjetër.

Motra medicinale Daniella Simjanoska e cila ka shërbyer në modular theksoi se ka pasur aparate kundër zjarrit, ajo mendon se ka pasur vetëm një, por nuk është e sigurt.

“Hyrja ishte e ndaluar, ka pasur mbishkrim te dera se hyrja ishte e ndaluar”, tha Simjanoska.

Fluturije Islami, motër medicinale tjetër e cila ka shërbyer në modular tha se nuk ka qenë në modular kur ka shpërthyer zjarri.

“Kemi qenë të zënë me punë sa që nuk e kemi parë a ka aparate kundër zjarrit. Nuk na ka shkuar mendja të shohim. Mendoj se kishte në dhomën ku qëndronim ne si staf mjekësor. Në derën kryesore ka pasur shenjë për ndalim të hyrjes. Në derën e hyrjes ka pasur çelës. Gjatë ndërrimit përgjegjës kanë qenë motrat dhe doktorët. Nuk ka pasur roje te dera”, theksoi Islami.

Nga ana tjetër gazetarët u ankuan se në sallë shumë pak dëgjohet kur flasin dëshmitarët dhe kërkuan që të lëshohen mikrofonat, por nga gjykata u tha se të tilla janë kushtet.

Seanca e radhës u caktua për me 6 prill dhe pritet të dëshmojnë katër dëshmitarë të propozuar nga pala mbrojtëse. Nëse kjo seancë vijon në rregull, siç njoftuan nga gjykata, seancën pas saj pritet të mbahet seanca e fundit dhe merret vendimi për këtë rast.

Gjykimi për këtë rast ka filluar me 6 shtator 2022 ndërsa deri tani janë mbajtur nëntë seanca, disa prej të cilave janë anuluar.

Familjarët e viktimave janë shprehur se nuk i besojnë drejtësisë së shtetit, por se përsëri nuk i humbin shpresat, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e kërkimit të hetimit ndërkombëtar për rastin.

Të akuzuarit për këtë rast janë ish-drejtori i Spitalit të Tetovës – Florin Besimi, ish-drejtori ekonomik i Spitalit të Tetovës- Artan Etemi, përgjegjësi i qendrës për Kovid- Boban Vuçevski dhe Spitali i Tetovës si person juridik.

Florin Besimi dhe Artan Etemi akuzohen në bazë të nenit 292, në lidhje me nenin 288 nga Kodi Penal për vepër që dëmton sigurinë e përgjithshme.

Boban Vuçevski akuzohet në bazë të nenit 206 për veprën penale – mosveprim në bazë të rekomandimeve mjekësore në kohën e epidemisë.

ISHP Spitali Klinik Tetovë akuzohet për rrezikim të sigurisë së përgjithshme dhe mosveprim në përputhje me rekomandimet në kohën e epidemisë.

Për veprat në fjalë, sipas Kodit Penal, personat e dyshuar nëse shpallen fajtorë, mund të marrin dënime deri në 5 vjet burgim.

Ish-drejtori i spitalit të Tetovës, Florin Besimi dhe ish-drejtori ekonomik, Artan Etemi, nuk po ndiqen penalisht për shkakun e zjarrit në spitalin modular të Tetovës, por për shkak se nuk kanë instaluar mjete të parapara për fikjen e zjarrit. Drejtorët po ndiqen penalisht për dy krime, konkretisht krime të rënda kundër sigurisë publike dhe mosrespektim të rregullave shëndetësore gjatë një epidemie, ndërsa mjeku është vetëm për mosrespektim të rregulloreve shëndetësore gjatë pandemisë.

Mjeku Boban Vuçevski është në gjyq për shkak se ka lejuar të afërmit të hyjnë në dhomat e spitalit edhe pse ishte e ndaluar. Ky është thelbi i aktakuzës për zjarrin.

Deri më tani për zjarrin janë kryer katër ekspertiza.

E para është realizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila ka konstatuar se kontakt i shkurtë i energjisë elektrike gjatë reanimimit të një pacienti e ka djegur një kabllo shtesë, pas çka ka shpërthyer zjarri.

E dyta është e Fakultetit të Teknologjisë, për të cilën nuk ka detaje për gjetjet.

E treta është bërë nga një elektro-inxhinier për instalimet në spital.

E katërta nga ekspertiza gjermane, ku prokuroria ka thënë se e nuk ndryshon shumë nga konstatimet e ekspertëve të Sektorit për Kontrolle Ekspertiza Kriminalistikë (SKEK).

Zjarri i tmerrshëm që e bëri hi spitalin modular në Tetovë, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga Covid-19, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht.

Mbetjet nga objekti i djegur pas shumë zvarritjeve u larguan gjashtëmbëdhjetë muaj pas tragjedisë që ndodhi. Drejtori i Spitalit të Tetovës njoftoi se në atë vend parashihet të vendoset pllakë përkujtimore për viktimat që humbën jetën.

 

Të fundit