20/07/2024
21.5 C
Tetovo

Të tjera lajme

Trazohet gjyqësori në Maqedoni pas letrës së ambasadores amerikane

Trazimet në drejtësi nuk ndalen pas letrës së ambasadores amerikane, Angela Aggeler, drejtuar disa institucioneve në vend, në të cilën shprehte shqetësimin për mënyrën e procedimit dhe zvarritjen e lëndëve gjyqësore të profilit të lartë.

Pas reagimeve fillestare të përfaqësuesve të pushtetit ekzekutiv se gjyqtarët dhe ata që drejtojnë punën e tyre duhet t’u përgjigjen vërejtjeve, institucionet e drejtësisë këto ditë janë rrethuar nga turbulenca që rezultuan me shkarkimin e kryetarit të Këshillit Gjyqësor, që disa ekspertët juridik e konsiderojnë të paligjshme, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Këshilli Gjyqësor ka shkarkuar të mërkurën në mënyrë të papritur kryetaren Vesna Dameva në një seancë publike. Arsyeja direkte e shkarkimit të Damevës ishte refuzimi i saj për të vendosur një pikë të re në rendin e ditës dhe gjoja fshehja e letrës nga ambasadorja Aggeler. Shkarkimi i saj u nis nga deputeti Selim Ademi, i cili pas disa orësh tensionesh dhe debatesh mori mbështetjen e 7 prej 13 anëtarëve të Këshillit për ta shkarkuar Damevën nga kryesia.

Pasardhësi i saj duhej të zgjidhej ditën e djeshme, por seanca e Këshillit Gjyqësor, ku pritet të votohet për kryetarin e ri, është shtyrë për datën 2 maj në orën 11:00. Nënkryetari i Këshillit, Selim Ademi, kërkoi shtyrjen për disa ditë, për siç tha ai, rëndësinë e çështjes siç është zgjedhja e kryetarit të ri, për të cilën do të ishte mirë prezenca e të 13 anëtarëve.

Dameva, e cila pas votimit për shkarkimin e saj, akuzoi se “Këshilli është kthyer në anarki”, dhe e vlerësoi vendimin si të paligjshëm dhe të marrë “për të kënaqur individë të caktuar nga politika”. Ajo tha se shpreson që në ditët në vijim të ketë kohë të mjaftueshme për të parë nëse do të sigurohet shumica e nevojshme për të legalizuar, siç tha ajo, shkarkimin e saj të paligjshëm.

Ademi pas seancës nuk ka dhënë asnjë deklaratë për gazetarët, të cilët kanë kërkuar sqarime për vërejtjet e organizatave joqeveritare dhe ekspertëve se shkarkimi i Damevës ishte i kundërligjshëm dhe në kundërshtim me procedurat dhe rregulloren e punës.

Për shkarkimin e Damevës, por edhe për gjendjen e përgjithshme në gjyqësor reaguan presidenti Stevo Pendarovski, Ministria e Drejtësisë, si dhe ekspertë juridikë.

Presidenti Pendarovski vlerësoi se zhvillimet në Këshillin Gjyqësor nuk i përshtaten këtij organi, i cili ka një rol shumë të përgjegjshëm, duke pasur parasysh kompetencat që ka në përzgjedhjen dhe shkarkimin e gjyqtarëve dhe vlerësimin e punës së gjyqtarëve, kujdesin për reputacionin e gjyqësorit si faktor kyç për besimin e qytetarëve ndaj gjyqësorit.

Letrën e cila trazoi opinionin dhe pushtetin gjyqësor, ambasadorja amerikane e ka dërguar më 11 prill të këtij viti. Në të ajo shpreh shqetësimin për vendimin e Gjykatës së Apelit – Shkup për kthimin në procedurë të shkallës së parë për rigjykim të disa lëndëve të profilit të lartë.

“Çdo ditë e më shumë jam e shqetësuar dhe e zhgënjyer për shkak të numrit të madh të çështjeve (të profileve të larta) që Gjykata e Apelit i ktheu në procedurë të shkallës së parë për rigjykim. Paaftësia e dukshme e gjykatave për të proceduar me shpejtësi çështjet përmes procedurës gjyqësore dhe transferimin e tyre mbrapa dhe ndërmjet Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Shkallës së Parë, ul më tej besimin e ulët që publiku ka tek gjykatat”, thekson ambasadorja Aggeler në letër.

Kjo letër është dërguar në adresat e thuajse të gjitha institucioneve vendore./Telegrafi/

Të fundit