22/06/2024
21.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Tre avionë në dispozicion kundër zjarreve në RMV, Maksuti: Sanksione të larta për personat që shkaktojnë zjarre

Aktualisht në vendin tonë nuk ka as një zjarr aktiv. Edhe zjarri që nisi mbrëmë në Zelenikovë është shuar. Dje ka pasur gjithsej 26 zjarre në hapësira të hapura, ndërsa të shtunën 30, bën të ditur Drejtori i Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim, Bekim Maksuti.

Më i rëndi ka qenë zjarri që ka rënë pardje në Ajvatovci dhe është shuar pasditen e djeshme, me ndërhyrje dhe nga ajri. Maksuti u shpreh i lumtur që më në fund 3 avionët Air Tractor i kanë në dispozicion, sepse vazhdimisht ndonjëri prej tyre pikërisht në momentet e zjarreve ishte në servisim.

“Ne kemi intervenuar pas vitit 2014 për herë të parë të tre aeroplanët që të fluturojnë dhe të angazhohen në disa zjarre, ndoshta edhe keni qenë prezent në komunën e Sarajit faktikisht para disa ditëve kur të tre aeroplanët në mbrëmje faktikisht, pikërisht para mbrëmjes u desht të intervenojnë dhe mund të themi që duhet të jemi krenarë kësaj vere, këto ditë sepse vërtetë kemi bërë një punë mjaftë të mirë në drejtim të asaj si kemi arritur t’i menaxhojmë”, tha Bekim Maksuti, drejtor i DMSH.

Shkaktimi i zjarrit me paramendim ose nga pakujdesia është vepër penale thotë Maksuti dhe çdo zjarr i shkaktuar nga faktori njeri do të sanksionohet rëndë.

“Zjarri në Komunën e Ilindenit apo afër komunës së Haraçinës, gjegjësisht fshati Ajvatovci është i shkaktuar nga njerëzit, është shkaktuar nga pakujdesia e bujqve që mendojnë se me djegien e mbetjeve pas korrjeve toka e tyre shndërrohet në pjellore ose e pastrojnë më lehtë që të mund ta përpunojnë. Unë ju bëj apel të gjithë atyre që të mos ndërmarrin një hapë të tillë dhe në qoftë se ndërmarrin, të jenë të sigurt që zjarri nuk do të kalojë kufijtë e fushës ose arës që e kanë në dispozicion se përndryshe do të ndjeken penalisht nga organet”, deklaroi Bekim Maksuti, drejtor i DMSH.

Drejtori i mbrojtjes dhe shpëtimit thotë se ka ekipe të mjaftueshme në dispozicion por, apelon që të rinjtë që kanë interesim të paraqiten, me çka do të trajnohen dhe certifikohen sipas standardeve europiane. “Gjithsesi duhet gjithnjë edhe më tepër të punojmë, të avancohemi, sepse asnjëherë nuk dihet se me çfarë situatash mund të ballafaqohemi”, përfundoi Maksuti./TV21/

Të fundit