05/03/2024
12.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Trump fiton zgjedhjet paraprake republikane në Nju Hempshër

Ish-Presidenti Donald Trump fitoi zgjedhjet paraprake republikane në shtetin Nju Hempshër të martën, duke përforcuar edhe më tej mundësinë për të marrë emërimin e Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Rezultati shënon një hap prapa për ish-ambasadoren amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, e cila investoi kohë dhe burime të konsiderueshme financiare për ta mundur zotin Trump.

Zonja Haley ishte sfiduesja e fundit në garën republikane pasi guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, i dha fund fushatës së tij presidenciale gjatë fundjavës, çka i mundësoi asaj të bënte fushatë si alternativa e vetme përballë zotit Trump.

Kandidatja Haley i intensifikoi kritikat ndaj ish-presidentit, duke vënë në pikëpyetje mprehtësinë e tij mendore dhe paraqitur veten si një kandidate unifikuese që do të sillte ndryshime për brezat e ardhshëm. Por fushata e saj nuk tërhoqi votues të mjaftueshëm.

Zoti Trump mund të mburret si kandidati i parë presidencial republikan që fiton garat e hapura në Ajova dhe Nju Hempshër që kur dy shtetet filluan të udhëheqin kalendarin zgjedhor në vitin 1976. Nëse zoti Trump merr emërimin e Partisë Republikane kjo do të ishte hera e tretë që ai kandidon për Shtëpinë e Bardhë.

Fitoret e lehta në të dy shtetet tregojnë aftësitë e zotit Trump për të bashkuar rreth vetes rrymat e ndryshme republikane. Ai fitoi mbështetjen e konservatorëve evangjelistë që kanë ndikim tek votuesit më të moderuar në shtetet Ajova dhe Nju Hempshirë, çka ai shpreson ta përsërisë ndërsa zgjedhjet paraprake zgjerohen edhe në shtetet e tjera amerikane.

Zonja Haley nuk ishte në gjendje të përfitonte nga tradita më e moderuar politike që ka shteti Nju Hempshirë. Përpjekja e saj për t’u bërë bartësja e standardit republikan po zbehet me shpejtësi. Ajo do të marrë pjesë në zgjedhjet paraprake republikane në Karolinën e Jugut më 24 shkurt.

Ish-guvernatorja e këtij shteti shpreson se një fitore e dukshme në Karolinën e Jugut do t’i jepte vrull fushatës së saj drejt garës paraprake të Super të Martës më 5 mars.

Por në një shtet thellësisht konservator, ku zoti Trump gëzon popullaritet të madh, mund të jetë i vështirë realizimi i ambicieve të zonjës Haley dhe humbja në shtetin e saj mund të ketë pasoja politike për të.

Të fundit