Kryetari i Komunës së Tearcës, Nuhi Neziri, ka bërë të ditur se dy projektet për përmirësimin e gjendjes me ujin e pijshëm për fshatrat Tearcë, Përshefcë dhe Gllogjë janë në përfundim e sipër. Bëhet fjalë për projektin e rezervuarit të ujit të pijshëm në fshatin Tearcë, i cili ka kapacitet për 600 metër kub ujë, si dhe projekti i stacionit të filtrimit të ujit të pijshëm për vendbanimet Përshefcë dhe Gllogjë. Projekti i parë për rezervuarin e ujit të pijshëm në fshatin Tearcë pritet të rrisë kapacitetet grumbulluese të ujit, ndërsa është në fazën përfundimtare, thotë kryetari Neziri.
“Mendojmë se ky projekt do të plotësojë normat optimale sasinë e ujit të një pjese kryesore, sepse rezervuari paraprak është në kapacitet prej 500 metër kub, pra në total kalojnë një mijë metër kub ujë në rezervuarët e ujit. Ky projekti është në vazhdën e përmbylljes së problemit me ujin e pijshëm në fshatin Tearcë, sepse paraprakisht është përmbyllur edhe sistemi i shpërndarjes në tërë vendbanimin dhe drejtpërdrejt do të lidhet në rezervuarin e ri. Ky investim, sipas projektimit, ishte i parashikuar rreth 400 mijë euro dhe është në fazën përfundimtare, thuajse jemi në fazën përfundimtare e objektit në fjalë dhe besojmë se deri në fund të vitit do të jetë në shërbim të qytetarëve”, deklaroi kryetari Neziri.
Në ndërkohë, sipas tij, është në përfundim e sipër edhe projekti i stacionit të filtrimit të ujit të pijshëm për vendbanimet Përshefcë dhe Gllogjë.
“Ky kapacitet ka qenë i madh edhe për sa i përket vlerës që kalonte mbi një milion euro. Edhe për këtë projekt, punimet filluan këtë vit, dhe është në finalizim e sipër. Aty merr pjesë me participim edhe komuna, që do të bëjë lidhjen e marrjes së ujit nga kaptimi e deri tek stacioni i filtrimit. Prandaj, shpresojmë se në bashkëpunim me kompaninë që realizon punët me siguri do përmbyllim punimet dhe do të tejkalojnë pritshmëritë për furnizim me ujë të pijshëm këta dy vendbanime”, thotë Neziri. Këto dy projekte, sipas Nezirit, pritet të zgjidhin problemet me ujin e pijshëm në këto vendbanime. Në disa vendbanime rritet cilësia e ujit, kurse në disa projekte rritet sasia e ujit.
“Që prej fillimit ne jemi përkushtuar jo vetëm nga ana e sasisë, gjë për të cilën flasin dy rezervuarët për fshatin Tearcë, por në të njëjtën kohë është bërë zgjerimi i rezervuarit në fshatin Përshefcë, ku ne kemi dhënë kontributin tonë. Gjithashtu, fshati Gllogjë ka kapacitetet e rezervuarit, por kërkohej sasi që tani është shtuar, kurse stacioni i filtrimit rrit cilësinë e ujit. Për këto tre vendbanime jemi të bindur që kjo kërkesë dhe ky problem themelor do të zgjidhet përgjithmonë”, njofton kreu i Tearcës. Gjendja me ujin e pijshëm është problematike pothuajse në të gjitha vendbanimet e Komunës së Tearcës. Në disa vendbanime ka mungesë të ujit të pijshëm ku banorët detyrohen që mbushin ujë në fshatrat përreth sidomos gjatë verës.Tv Koha