24/04/2024
14.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Ulet xhiroja e kompanive. PANDEMIA GODET EDHE BURSËN

Bankat, hoteleria dhe gastronomia, industria, tregtia e karburanteve, patundshmëritë etj renditen ndër bizneset që shënojnë ulje të qarkullimit dhe fitimit në gjashtë muajt e parë të këtij viti

Shkup, 5 shtator – Kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia ka zvogëluar edhe punën dhe fitimin e kompanive që punojnë në Bursën e Maqedonisë. Të dhënat zyrtare tregojnë se gati gjysma e kompanive që e kanë edhe obligim ligjor të dorëzojnë raporte financiare deri tek Bursa, po tregojnë ulje të të ardhurave të tyre. Mbyllja e ekonomisë për disa muaj dhe masat shtrënguese për lëvizjen e popullatës si duket ka ndikuar edhe tek tregu i letrave me vlerë në vend ,përskaj dëmeve që ka shkaktuar edhe tek pjesa tjetër e ekonomisë, që nuk punon në bursë.

Bankat, hoteleria dhe gastronomia, industria, tregtia e karburanteve , patundshmëritë etj renditet ndër bizneset që shënojnë ulje të qarkullimit dhe fitimit në gjashtë muajt e parë të këtij viti.

Nga ana tjetër, industria e ilaçeve dhe e ushqimeve kanë punuar edhe më mirë se në vitin e kaluar. Njëherësh kriza e koronës në gjashtë muajt e parë të këtij viti ka zvogëluar fitmet e 15 bankave në shtet për afër 14 milionë euro. Të dhënat tregojnë se në periudhën janar-qershor të viti të kaluar, profiti i bankave ka qenë 58 milionë euro, ndërsa sivjet ai është ulur në 44.5 milionë euro për të njëjtën periudhë respektive. Ulja e qarkullimit shënon edhe Makpetroll si kompania më e madhe e tregtisë me karburante të naftës që punëson mbi 1000 punëtorë. Si rrjedhojë e uljes së lëvizjes së pasagjerëve dhe mallrave brenda dhe jashtë shtetit si dhe uljes s harxhimit të karburantit të automjeteve, kamionëve dhe autobusëve në periudhën e kufizimeve për lëvizje janë ulur edhe të ardhurat nga shitja të kompanisë më të madhe në vend, Makpetroll po shënon të ardhura nga shitje prej afër 128 milionë euro që është për gati një të katërtën më pak se në vitin e kaluar. Një nga kompanitë më të suksesshme ndër vite në industrinë e ushqimit në vend, Vitaminka e Prilepit që është e orientuar edhe në eksport, ndërsa para dy vitesh bleu edhe fabrikën e vajit Briljant nga Shtipi, ka shënuar qarkullim prej afër 19.4 milionë euro që është për gjashtë për qind më shumë se në gjashtë muajt e parë të vitit të kaluar. Edhe kompania tjetër e sektorit të ëmbëlsirave industriale, Evropa që gjithashtu është e orientuar në eksport për këtë periudhë ka qarkullim prej afër 6 milionë euro që është për dhjetë për qind më shumë se në vitin e kaluar.

Ulje të ardhurave për gjashtë për qind shënon edhe kompania e industrisë së përpunimit të mishit Pekabesko, e cila deri në muajin qershor ka shitje të realizuara prej afër 34.5 milionë euro. Edhe kompania e transportit dhe distribuimit të karburanteve Oilko ku aksionar më i madh është MakPetroll ka shënuar qarkullim prej afër 3 milionë euro që paraqet një rezultat për pesë për qind më të dobët në raport me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar. Edhe kompania e prodhimit të bukës, makaronave dhe vezëve Zhito Polog nga Tetova me qarkullim prej afër 2.8 milionë euro, po shënon ulje të shitjeve për 12 për qind. Kompania Pelister e prodhimit të ujit të tharët dhe pijeve freskuese me 2.2 milionë euro shitje në gjashtë muajt e parë të këtij viti po shënon ulje prej afër 20 për qind të shitjeve apo qarkullimit. Turizmi vendor pritet të jetë një sektorët më të goditur nga pandemia e koronavirusit. Analizat e ekspertëve vlerësojnë se në varësi prej efekteve të masave qeveritare, prej 2000-12 mijë punëtorë në turizëm do të humbin punën nëse kriza zgjat deri në fund të këtij viti, ndërsa humbjet financiare do të ishin mbi 200 milionë dollarë apo gjysma e të ardhurave të planifikuara. Mbyllja prej gati katër muaj e sektorit të hotelerisë dhe gastronomisë ulja e madhe e ardhjes së turistëve të huaj. Edhe të dhënat statistikore e dëshmojnë uljen e qarkullimit turistik, ku në periudhën janar-qershor të këtij viti në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, është ulur numri i turistëve për 71.8 për qind. Tek turistët vendor ka ulje prej 64.8 për qind, ndërsa tek turistët e huaj shënohet ulje prej 74.8 për qind.

Gjithashtu, në periudhën janar-qershor 2020 në raport me të njëjtën periudhë të viti të kaluar janë ulur bujtjet për 71.3 për qind në total. Tek turistët vendor ka ulje për 64.1 për qind, ndërsa tek turistët e huaj është shënuar ulje e bujtjeve për 75.3 për qind. Kompania Makedonija Turist ku bëjnë pjesë hotelet në Shkup si Holidej In, Best Vestern, Karposh, Belvi etj. po shënon ulje të të ardhurave për 74 për qind në gjashtë muajt e parë të këtij viti, si rrjedhojë e uljes në minimum të ardhjes së turistëve të huaj. Edhe hotelet në liqenin e Ohrit si Metropoll, Belvi dhe Turist po shënojnë ulje të shitjeve prej 87 për qind në gjashtë muajt e parë të këtij viti në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Shembuj të rritjes, dhe jo uljes së qarkullimit janë edhe kompania farmaceutike Alkaloid me një orientim të fuqishëm ndaj eksportit që ka pasur shitje prej afër 99 milion euro apo për dhjetë për qind më shumë në gjashtë mujorin e parë të këtij viti në raport me të njejtën periudhë të vitit të kaluar.

Dëme nga kriza korona po pëson edhe prodhimtaria industriale . Në periudhën janar-korrik po shënohet ulje e të punësuarve në industri për 4.6 për qind në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar si rrjedhojë edhe e rënies së prodhimtarisë industriale për 13.8 për qind në shtatë muajt e parë të vitit. Ndryshe,humbje të panumërta po shënon edhe sektori i tregtisë dhe shërbimeve si restorantet, butiqet, artaritë, dyqanet e teknikës së bardhë, mobileritë e kështu me radhë, si rrjedhojë e anulimit të dasmave dhe ardhjes në numër shumë të vogël të mërgimtarëve. Të dhënat e fundit tregojnë edhe uljen e shitblerjeve të banesave, tokës bujqësore dhe ndërtimore, hapësirave afariste e kështu me radhë. Në tremujorin e dytë të këtij viti, në evidencën e kadastrës janë regjistruar 4.073 transaksione që është për 3.085 transaksione më pak në raport me tremujorin e parë të këtij viti. E shprehur në të holla kjo do të thotë se në tremujorin e parë janë shitur 151 milionë euro patundshmëri të ndryshme si toka, banesa, zyra etj, ndërsa tre muaj më vonë qarkullimi shënon rënie për 30 milionë euro. Shitja vetëm e banesave shënon ulje nga 82 në 67 milionë euro prej fundit të muajit mars deri në fund të muajit qershor. (koha.mk)

Të fundit