19/07/2024
23.2 C
Tetovo

Të tjera lajme

Urim Hasipi :Të fala për Tetovën

Shumë energji po harxhohet për manifestime, për promovime dhe gjëra sekondare.Shumë energji, kohë dhe mund  është dhënë për të qenë kujdestar të kombit.Në fund do të marrësh si kundërvlerë shkrime kundër Tetovës.
Gjeneratat e reja duhet ta dijnë se pa Tetovën qytetet tjera me shqiptarë do të kishin fatin e Manastirit.

Tetova i ka zgjuar nga gjumi të tjerët ndërsa për arsyet apo ngjarjet nuk kam kohë të humbi që ti përmendi.

Tetova, qytetarët e saj, bashkë me strukturat partiake duhet të kthehet kah vetvetja, njejtë vlen edhe për këtë garniturë që është në krye të komunës së Tetovës.

Sepse, Tetovës i duhet urgjentisht konsolidim në shumë sfera dhe të niset të punohet për një rajon që do të jetë lider i modernizmit.

Kjo garniturë dhe të tjerat që do të vijnë në të ardhmen duhet të vazhojnë të rregullojnë infrastrukturë moderne, bulevarde të reja, hapësira të reja me gjelbërim, qendra moderne urbane dhe jo vetëm.

Është turp dhe e patolerueshme që në vitin 2023, Tetova ka probleme me ujin e pijshëm, sidomos me rrjetin shpërndarës të ujit në qytet.

Është turp që Tetova nuk ka rrjet te gazifikimit.

Është turp që Tetova të mos ketë parkingje në kate dhe vende tjera të parkimit.

Është turp që Tetova të mos ketë shëtitore moderne përgjatë lumit Shkumbin.

Është turp që Tetova nuk ka shesh modern dhe atraktiv.

Është turp që Tetova nuk ka objekt për kinema,bibliotekë dhe Teatër.

Turp është që Tetova nuk ka pishinë olimpike dhe nuk ka stadium modern.

Është turp që Tetova po ngulftatet nga ndërtimet e ndërtesave në pjesët qendrore.

Është turp që Tetova mos të ketë të zhvilluar turizmin me shumë vende atraktive rrëzë Malit Sharr.

Është turp se vetëm në Tetovë stërzgjaten punimet për çdo punë që niset.

Është turp që në Tetovë nuk ka planifikim urbanistik, apo dislokim të institucioneve nga pjesa qendrore.

Është turp që në Tetovë jeta zhvillohet vetëm në qendër dhe pjesët tjera janë lënë sikurse të ishin lagje afrikane.

Është turp që Tetova nuk ka institucione kredibile si spitali, ku mund të shërohesh vetëm nga gripi se për  një komplikim tjetër shëndetësor duhet të udhëtojmë për në Shkup  edhe pse epitetin e ka Spital Klinik ky i Tetovës.

Është turp se në çfarë gjendje  është lënë objekti i ndihmës së shpejtë.

Është turp kur sheh se në cfarë derexhe është institucioni i drejtësisë në Tetovë.

Është turp se sa deponi ilegale ka në Tetovë.

Është turp që Tetova vazhdimisht ka ajër të ndotur pa asnjë industri të zhvilluar.

Është turp se në çfarë gjendje është kumunikacioni më Tetovë.

Është turp se të gjitha rrugët që të sjellin në Tetovë janë lënë harresë.

Autostrada Shkup Tetovë nuk mirëmbahet,autostrada Gostivar Tetovë është në gjendje të mjerueshme.

Rruga nga Jazhinca për në Tetovë përplot e stërngarkuar dhe nuk është bërë rrugë alternative sepse lidh dy shtete.

Turp është se në Tetovë nuk ka treg modern të gjelbër

Është turp për një vend ku prodhimet bujqësore që kultivoheshin në Tetovë , sot ato toka janë lënë të shkreta dhe blejmë pemë dhe perime të shtrenjta nga jashtë.

Është turp që Tetova nuk ka një qendër grumbulluese për prodhimet bujqësore.

Është turp që arsimi është degraduar dhe politizuar skajshmërisht.

Tetova pra tetovarët  bashkë me strukturat partiake duhet ti kthehen vetvetes.
Komuna me pushtetin qendror duhet ti japin fund inatit mes tyre dhe ti përvishen punës për Tetovën.

Nuk e meriton ky popull këtë degradim deri në atë pikë që banori i Tetovës të largohet nga vendi i tij.

Nuk meritojmë kështu, sepse vetëm nga tatimi i tetovarëve pushteti qendror arkëton miliona euro brenda një muaji dhe këta tatime nuk i kthen në investime.

Tetova nuk e meriton të jetë një vend mesjetar por një vend modern.

Tetova duhet të çlirohet nga njerëzit që kurrë nuk ia kanë dashur të mirën,por vetëm janë pasuruar në kurriz të tetovarëve.

Pse?

Sepse!

Nuk ditëm të ruajmë qytetin nga mafia urbane.

Nuk ditëm ta ruajmë Tetovën nga nëntoka mafioze

Ne nuk ditën të ruajmë kredibilitetin e shkollës dhe të kaluarën tonë të lavdishme.

Ne nuk ditëm të ruajmë vlerat tona si për shembull, nuk nderuam figurën e Mehmet Gëgës.

Nuk nderuam figurën e Rafi Halilit siç duhet, e lamë të dergjet në burgje dhe pastaj në liri mos kujdesemi aspak.

Ne nuk nderojmë figurën e Fadil Sulejmanit ani pse na bëri me universitet.

Të kishte qenë nga Kosova apo nga Shqipëria  kushedi se çfarë përmendore do të kishte,ama hajt se i joni është.

Ne nuk nderuam as figurat e protestës së vitit 1968.

Nuk ka as pllakë përkujtimore pë masakrën e Monopollit.

Ne nuk nderuam as shkrimtarët tanë siç duhet, për shembull Murat Isakun dhe Avdylazis Islamin dhe të tjerët.

Nuk nuk nderuam as figurën e Mehmet Pash Derallës.

Nuk nderuam as Rexhep Vokën e as kontributin e Eqrem Qabejt e të Ernest Koliqit, edhe pse nuk ishin tetovarë por kanë dhënë shumë për arsimin në Tetovë.

Ne nuk nderuam as artsitët tanë qoftë këngëtarë, qoftë aktorë por nderuam të tjerët që nuk ishin të Tetovës,e as që kanë dhënë ndonjë kontribut për Tetovën.

Për shembull grupi Elita 5 që nderohet kudo që shkon por Tetova nuk i nderon ashtu siç e meritojnë.

Çdo herë i huaji ka qenë më i mirë, ka kënduar më mirë, ka qenë më eskpert, më i kapshëm sepse është paguar me para të majme e tanët i kemi lënë të hjekin për kafshatën e gojës.

I yni a është me siguri një “leqe” do ia gjejmë.

Ne nuk ditëm të ruajmë as festivalin  Sharri Këndon, nuk nuk e nderojmë festivalin Bletëzat, ne nuk nderojmë asgjë.

Ne nuk nderojmë asnjë sportistë e asnjë protagonist të suksesshëm që është i yni.

Ne nuk nderojmë as gazetarët tanë më të vjetër,por kujdesemi në maksimum për ata nga Shqipëria dhe Kosova,që kur vijnë në Tetovë përveç darkave me fruta deti u japim edhe mijëra euro vetëm pse janë nga jashtë.

Ne nuk nderojmë veten  tonë …

(Ky shkrim është qëndrim personal dhe jo i redaksive ku punoj) Gazetari ;Urim Hasipi

Të fundit