28/05/2024
20.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

Vazhdon trendi i rënies së numrit të filloristëve në Tetovë

Regjistrimi i fëmijëve në shkollat fillore do të fillojë pas përfundimit të pushimit që kanë fëmijët në këtë periudhë, respektivisht pas 7 majit. Në 12 shkollat fillore të komunës së Tetovës të dhënat e deritanishme flasin se duhet të regjistrohen 840 nxënës. Por në këto lista nuk janë përfshirë fëmijët e lindur jashtë Tetovës, bëjnë të ditur nga Sektori për Arsim në komunën e Tetovës.

Në ndërkohë, vazhdon problemi i rënies së numrit të nxënësve që regjistrohen në shkollat e Malësisë së Tetovë, ku këtë vit pritet që të regjistrohen 100 nxënës më pak.

“Të dhënat që kemi nga drejtoria e librave amë, i kemi 840 fëmijë që duhet të regjistrohen në klasë të parë, në krahasim me vitin e kaluar kemi një rënie të dukshme të fëmijëve që duhet të regjistrohen në klasë të parë. Sipas të dhënave që I kemi, problem është malësia e Tetovës kemi shumë pak fëmijë që do të regjistrohen në klasë të parë, përafërsisht janë 100 nxënës më pak. Por, ende nuk kemi të dhëna për lindjet që janë kryer jashtë Tetovës, sepse e dimë se ka lindje të fëmijëve edhe në qytete tjera, kryesisht në Shkup”, tha Valedin Ademi, udhëheqës i Sektorit për Arsim në Komunën e Tetovës.

Edhe përskaj rënies së numrit të nxënësve, nuk parashihet që të mbyllet ndonjë shkollë, sidomos në fshatrat e Malësisë, pohojnë nga Sektori për Arsim në komunën e Tetovës.

“Jo, me këto numra nuk rrezikohet që të mbyllet ndonjë paralele, apo ndonjë shkollë. Besoj se ende jemi në nivel që të mos vijmë deri tek kjo situatë. Poashtu nuk rrezikohen edhe vendet e punës për mësimdhënës”, nënvizoi Ademi.

Kushtet për regjistrim janë certifikata e lindjes, vërtetim se fëmija është vaksinuar, certifikatën e stomatologut dhe fëmija duhet të jetë vet prezent gjatë regjistrimit. Fëmija mund të regjistrohet në klasën e parë nëse mbush gjashtë vjeç deri më 31 janar të vitit ardhshëm, pas një kërkese të mëparshme të prindit, gjegjësisht kujdestarit dhe një mendimi të marrë nga pedagogu ose psikologu në shkollë.

Prindi ose kujdestari është i detyruar të regjistrojë në shkollë fillore fëmijën që do të mbushë gjashtë vjeç deri në fund të vitit kalendarik. Prindi ose kujdestari ka të drejtë ta regjistrojë fëmijën në shkollën fillore të zonës ku banon ose qëndron përgjithmonë. Shkolla fillore është e obliguar të përfshijë nxënës nga zona e saj. Me kërkesë të prindit dhe nëse ka pëlqim nga shkolla, si dhe vende të lira, fëmija mund të regjistrohet në një shkollë që nuk është në zonën e tij të banimit./Koha/

Të fundit