Të tjera lajme

Visar Ademi: “Koalicioni im është vetëm me qytetarët e Gostivarit”

Të shtunën e kaluar partitë politike dorëzuan listat dhe kandidatët e tyre në Komisionin Zgjedhor. Të gjitha partitë e mëdha do të garojnë për këshillin, ndërsa për kryetar komune do të jenë vetëm katër kandidatë – tre prej tyre të përfaqësuar nga partitë politike. Njëri prej tyre, kandidati i Aleancës së Arben Taravarit, papritur mori mbështetje edhe nga BDI, gjë që ka irrituar shumë qytetarë.

“Por kjo është politika e partive – nuk ka të bëjë me bindje, me parime e as me Gostivarin dhe qytetarët e tij. Ka të bëjë vetëm me pushtet, para dhe pozita,” – tha kandidati i pavarur për kryetar të Gostivarit, Visar Ademi.

Ai theksoi se, ndryshe nga partitë që mendojnë vetëm kush do ta fitojë Gostivarin, ai kujdeset për mënyrën se si fiton Gostivari dhe qytetarët e tij.
“Gostivari përballet me sfida të mëdha dhe ato mund të zgjidhen vetëm nëse bashkojmë forcat – partitë politike, shoqërinë civile dhe qytetarët,” u shpreh Ademi.

Visar Ademi propozon që të gjitha partitë të nënshkruajnë një memorandum mirëkuptimi për t’i zgjidhur së bashku tre problemet më urgjente të qytetit:

  1. Pastrimin e Gostivarit nga korrupsioni
  2. Pastrimin e Gostivarit nga mbeturinat
  3. Pastrimin e Gostivarit nga qentë endacakë

“E sfidoj çdo bartës liste të ulemi që tani dhe të biem dakord për Gostivarin e së ardhmes. Le të lëmë mënjanë retorikat zgjedhore dhe të fokusohemi në zgjidhje konkrete për qytetin tonë,” – theksoi ai.

Kandidati i pavarur u zotua për një qeverisje transparente dhe pjesëmarrëse, ku qytetarët do të kenë fjalën e fundit për mes referendumeve lokale.
“Koalicioni im do të jetë vetëm me qytetarët e Gostivarit. Kryetari zgjidhet nga qytetarët, jo nga partitë,” – përfundoi Visar Ademi.

 

Të fundit