Të tjera lajme

VITIN E KALUAR 1.620 FËMIJË NGA MAQEDONIA KANË LINDUR NË GJERMANI!

Gjithnjë e më shumë fëmijë me prejardhje nga Maqedonia e Veriut po lindin jashtë vendit, më së shpeshti në Gjermani, që paraqet një tjetër tregues të pasojave afatgjata të emigrimit të popullsisë në moshë pune. Të dhënat e publikuara nga Blumberg Adria tregojnë se diaspora e Maqedonisë së Veriut vazhdon të rritet, ndërsa situata demografike në vend përballet me ulje të natalitetit dhe me emigrimin e vazhdueshëm të familjeve të reja.

Numri i përgjithshëm i shtetasve të Maqedonisë së Veriut të regjistruar si të huaj që jetojnë në Gjermani, deri në dhjetor të vitit të kaluar, ishte 161.120 persona, që është mbi 2.000 më shumë krahasuar me vitin 2024, kur kjo shifër ishte 158.995 persona.

Kështu flasin të dhënat e Zyrës Federale të Statistikave të Gjermanisë, që transmetohen nga Bloomberg Adria.

Nga viti 2015 deri në vitin 2025, numri i shtetasve të Maqedonisë së Veriut të regjistruar si të huaj në Gjermani është rritur me më shumë se 65.000 persona.

Vala e emigrimit drejt Gjermanisë në shekullin 21 është aq e madhe sa ka sjellë një trend ku fëmijët lindin në tokën gjermane.

Sipas statistikave, vetëm gjatë vitit të kaluar në Gjermani kanë lindur 1.620 foshnja nga “shtetas të huaj nga Maqedonia”, konstaton Bloomberg Adria bazuar në të dhënat e Zyrës Federale të Statistikave të Gjermanisë.

Statistikat gjermane tregojnë gjithashtu se vazhdimisht po rritet numri i qytetarëve maqedonas të natyralizuar në Gjermani, pra personave që kanë marrë shtetësinë gjermane. Nga viti 2000 deri në vitin 2024, gjithsej 24.013 shtetas të Maqedonisë së Veriut janë bërë, kushtimisht thënë, qytetarë gjermanë.

Sipas të dhënave të Zyrës Federale të Statistikave, mosha mesatare e shtetasve maqedonas të regjistruar si të huaj në Gjermani është rreth 35 vjeç, që do të thotë se bëhet fjalë për një popullsi relativisht të re, e cila ende nuk ka arritur mesin e moshës së saj aktive të punës.

Nga ana tjetër, Bloomberg Adria ka raportuar në disa raste se Maqedonia e Veriut po përballet vazhdimisht me mungesë të fuqisë punëtore. Treguesi më i mirë për këtë janë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave, të cilat tregojnë se numri i vendeve të lira të punës tash e disa vite me radhë tejkalon vazhdimisht 10.000 vende pune./Tv Koha/ 

Të fundit