Të tjera lajme

VLEN: BDI duhet të tregojë se në xhapat e kujt përfunduan fondet e BE-së për kanalizimin në Kërçovë

Deklarata e ambasadorit të Bashkimit Evropian në vend, Michalis Rokas, se sipas evidencave të Zyrës së BE-së në Shkup projekti i kanalizimit nga Zajazi deri në Kërçovë figuron si i përfunduar në vitin 2024, ndërsa në terren ai nuk është funksional, përbën një nga skandalet më të rënda që lidhen me menaxhimin e fondeve evropiane në Kërçovë, thuhet në reagimin e VLEN.

BDI e drejtoi Komunën e Kërçovës për tre mandate radhazi, thonë nga VLEN duke potencuar se nëse Bashkimi Evropian e ka evidentuar projektin si të përfunduar, ndërsa ai nuk ekziston në realitet, atëherë BDI ka detyrimin t’u përgjigjet qytetarëve: Kush i mori përgjegjësitë për realizimin e këtij projekti? Pse nuk u përfundua projekti brenda afatit të paraparë? Ku përfunduan fondet e ndara nga Bashkimi Evropian? Kush përfitoi nga një projekt që në letra figuron i realizuar, ndërsa qytetarët nuk kanë asgjë?

VLEN kërkon që Prokuroria Publike dhe të gjitha institucionet kompetente të hapin menjëherë hetim për këtë rast, të verifikojnë çdo denar të shpenzuar dhe të zbulojnë se kush mban përgjegjësi për këtë dështim të rëndë.

Ndryshe në Zyrën e BE-së në Maqedoninë e Veriut projekti për rrjetin e kanalizimit Zajaz – Drugovë evidentohet si i përfunduar në vitin 2024 – deklaroi Ambasadori I BE-së në vend Mihalis Rokas gjatë vizitës në këtë Komunë. Pa hyrë në detaje ai tha se duhet të mbahet një takim teknik për të konstatuar nëse ekziston mundësia për rifinancimin e projektit.

Të rikujtojmë se rrjeti I kanalizimit Zajaz – Drugovë duhej të përfundonte në vitin 2024 dhe ishte financuar nga mjete të BE-së. Mirëpo, punët ishin ndërprerë pasi kompania dhe Banka nga Azerbejxhani që fituan tenderin kishin bankrotuar, pas çka I gjithë projekti ishte bllokuar.

Të fundit