Të tjera lajme

VLEN “SË SHPEJTI” NJË SUBJEKT I VETËM

Koalicioni VLEN mund të jetë drejt një transformimi të rëndësishëm politik. Pas takimit të fundit në Kosovë me kryeministrin Albin Kurti, krerët e këtij koalicioni kanë arritur një dakordësi paraprake për shndërrimin e VLEN-it në një subjekt të vetëm politik. Kryetari i Lëvizja BESA, Bilall Kasami, tha se në parim kanë rënë dakord për strukturën organizative dhe mënyrën e funksionimit të partisë së re.

Edhe para kryeministrit të Kosovës kishte një dakordim që VLEN-i duhet të bëhet subjekt politik. Kishte një dakordim paraprak edhe për strukturën e VLEN-it, edhe për formën e vendimmarrjes, po ashtu edhe për përcaktimet programore dhe për disa çështje të cilat kanë të bëjnë me konceptin dhe orientimin e subjektit të ri. Ka mbetur ashtu siç e kemi potencuar që Alternativa këto vendime t’i kalojë në organet e partisë dhe të vazhdojë procesi formal i ngritjes së strukturave të VLEN-it” tha Bilall Kasami.

Sipas tij, modeli i propozuar parasheh një lidership me dy bashkëkryetarë, dy nënkryetarë dhe një sekretar të përgjithshëm, si dhe ndarjen e strukturave drejtuese në raport 5 nga 20 për secilin subjekt pjesëmarrës. Kasami theksoi se tashmë pritet që Alternativa t’i kalojë këto vendime në organet e saj partiake, në mënyrë që të vazhdojë procesi formal i krijimit të strukturave të përbashkëta të VLEN-it.

Bëhet fjalë për një dakordësi paraprake që lidershipi të jetë me dy bashkëkryetarë, me dy nënkryetarë, një sekretar gjeneral, si dhe pjesa tjetër organizative. Po ashtu ka një dakordësi paraprake që ndarja të jetë 5 nga 20 e strukturës së organeve të partisë, por kur do të jetë e si do të jetë varet për momentin nga konsultimet që bëhen brenda Alternativës se kur do të mund të marrin një vendim, që më pas të mund të ngrihen organet e përbashkëta apo komisionet që do të detajojnë të gjithë këtë që jemi marrë vesh në parim” tha Bilall Kasami.

Sipas tij, pasi të përfundojnë konsultimet e brendshme, do të formohen edhe komisionet e përbashkëta që do të detajojnë marrëveshjen dhe do të përgatisin ngritjen e organeve të subjektit të ri politik. Ky proces, që po zhvillohet edhe me ndërmjetësimin e kryeministrit kosovar Albin Kurti, synon bashkimin e faktorëve politikë shqiptarë në një platformë të vetme politike në Maqedoni të Veriut.

Të fundit