24/05/2024
11.5 C
Tetovo

Të tjera lajme

VLEN shpalos programin për zgjedhje: Zhdukje e bixhozit, decentralizim fiskal, aksionet në dorë të qytetarëve

Në sheshin “Skënderbeu”, aty ku edhe e kanë selinë e përbashkët, koalicioni VLEN prezantoi një pjesë të programit qeveritar, ndërsa javën tjetër pritet të prezantohet i plotë. Migrimi dhe ekonomia do të jenë shtyllat kryesore. Për këtë, kandidati për president Arben Taravari, tha se qytetarëve do t’u mundësojnë që deri në fund të mandatit, të marrin pagë mesatare prej 800 eurove.

Nuk mund të vazhdohet kështu me qeveri të korruptuar dhe zhvatëse, na duhet patjetër ndryshim. Për këtë arsye ne si koalicion VLEN në qeverisje duhet të garantojmë dhe rritjen e rrogës mesatare, kjo garancë e jona është që rroga mesatare do të jetë minimum 800 euro”, tha Arben Taravari – kandidat për president –VLEN.

Fjalime mbajtën e tre krerët e partive që përbëjnë VLEN-in, Izet Mexhiti, Bilall Kasami dhe Afrim Gashi. U prezantuan planet për zhdukjen e plotë të bixhozit, planet për decentralizim fiskal dhe lënien e aksioneve të ndërmarrjeve shtetërore në dorë të qytetarëve
Ne do t’u shpërndajmë të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, 49% të aksioneve të ndërmarrjes shtetërore, pra do të shpërndajmë aksione në vlerë prej 10mijë euro për secilin individ. Këto aksione do të mund të shiten në treg dhe do të sjellin dinamikë të re ekonomike për familjet e secilit dhe do të mundësojë dhe futjen e kapitalit privat në këto ndërmarrje, gjë që sjellë modernizim dhe zhvillim”, pohoi Izet Mexhiti – Bartës liste Z1 – VLEN.

“Me fitoren e VLEN-it, ne besojmë se do të marrë fund sëmundja e madhe e kazinosë dhe lotarisë. Ne do të bëjmë çmos, që ta ndalojmë bixhozin. Ideja jonë është t’i ndalojmë edhe kreditë e shpejta që në fakt janë thjeshtë fajde. Do t’i anulojmë borxhet e njerëzve me kredi të shpejta”, pohoi Afrim Gashi – Bartës liste Z2 – VLEN.
Për këtë, ne angazhohemi që të kemi një decentralizim fiskal, të kemi bartje të ingerencave në pushtetin lokal sepse pushteti lokal është i njohur se është pushteti më afër qytetarëve. Ne do të angazhohemi që në mandatin tonë të transferojmë së paku gjysmë miliardë euro për zhvillimin e komunave tona dhe ndërtimin e infrastrukturës së munguar”, tha Bilall Kasami – Bartës liste Z6 – VLEN

Shkurt folën edhe bartësit e listave nga zonat 3, 4 dhe 5, por edhe përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherazi kandidat për deputet në zonën 6, Bekim Qoku.

“Ne jemi për Maqedoninë e Veriut si partnere e NATO-s dhe si një vend i integruar në Bashkimin Europian. Jemi për partneritet dhe miqësi në Ballkan por jemi gjithashtu kundër atyre që bashkëpunojnë me Beogradin problematik, me pinjollët e Millosheviqit dhe me Moskën agresore”, pohoi Bekim Qoku – VLEN.

“Shqiptarët e Çashkës dhe Velesit, presin vëmendjen e shtetit. Kemi garanca nga presidenti Taravari dhe nga koalicioni VLEN se në Qeverinë e ardhshme, shqiptarët e zonës 3, nuk do të lihen vetëm”, tha Shener Bilalli – Bartës liste Z3 – VLEN .

Ne kemi programin tonë elektoral, plani VLEN 2030. Me politikat tona ekonomike dhe zhvillimore ne do të arrijmë që në vitin 2030, të jenë 150 euro për kokë banori”, u shpreh Mendurim Zermanovski – Bartës liste Z4 – VLEN.

“Duke e ditur se kush qëndron përballë nesh, një listë plot skandale dhe njerëz të dyshimtë, ne kemi sigurinë e plotë se në zonën pesë do të bëhet surpriza më e madhe. Të mos harrojmë se morali vlen edhe në politikë, ndryshimi vlen, guximi vlen, fitorja vlen”, pohoi Salim Sulejmani – Bartës liste Z5 – VLEN.

Përndryshe në listat e votimit, si për president ashtu edhe për deputetë, koalicioni VLEN do të ketë numrin gjashtë në renditje, në bazë të ndryshimeve të fundit të Kodit Zgjedhor që i solli Komisioni Shtetëror Zgjedhor.

Të fundit