VLEN përmes një press konference ka drejtuar akuza në adresë të BDI-së, duke pohuar se zyrtarizimi i serbishtes në Kumanovë mban vulën e kësaj partie.
“Pikërisht kjo parti, që sot nga opozita e ka gojën plot shqiptari, në kulmin e pushtetit të saj, më 4 maj të vitit 2010, në Kumanovë bëri që gjuha serbe të futet në përdorim zyrtar në këtë komunë, edhe pse serbët përbëjnë rreth 6.5 për qind të popullsisë” – tha Granit Osmani nga VLEN.
Osmani duke prezantuar dokumentin potencoi se kur duhej të zyrtarizohej serbishtja në Kumanovë, kishin zell, votë e vullnet. Por kur duhej të zgjidheshin hallet e shqiptarëve, gjithmonë kishte zvarritje.
Pas këtij dokumenti, natyrshëm lindin disa pyetje, thonë nga VLEN.
Sipas tyre, Pse gjithë ai kujdes për serbishten në Kumanovë, ndërsa për hallet e shqiptarëve gjithmonë kishte pengesa e vonesa?
Pse nuk e patën të njëjtin vullnet për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe dhe për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat?
Për më shumë se 20 vite rresht, shumë çështje të shqiptarëve i lanë përgjysmë, me logjikën shkel e shko.
VLEN nuk është kundër zyrtarizimit të asnjë gjuhe, por është kundër hipokrizisë politike – thonë nga VLEN.







