20/05/2024
17.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

Xhaferi paralajmëron ministrat e BDI-së: Për shkak të dështimeve mund të përfundojnë karrierën politike

Musa Xhaferi në emisionin 200 në Alsat tha se do të jetë në të mirë të BDI-së dhe të shqiptarëve që kabineti qeveritar i BDI-së të ngel në klasë. Sipas tij ministrat që përfaqësojnë integristët në organin ekzekutiv nuk kanë treguar rezultate, ndërsa janë dirigjuar nga zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi.

“Unë kam qenë vetë ministër dhe nëse mbesin në klasë jo gjeneratë do të jetë përparësi për BDI-në dhe për shqiptarët sepse këto nuk kanë dashur të konfrontohen me njëri-tjetrin për të pasur një konkurrencë pozitive, por e dëgjuar atë të parin i cili i ka drejtuar me shkop. Mendoni për zotin Grubi? Po”, deklaroi Musa Xhaferi, BDI.

Xhaferi u shpreh i bindur se më 29 tetor në kuadër të llogaridhënies në BDI, disa ministra mund të përfundojnë karrierën e tyre politike.

“Duhet të ketë, nuk është shumë tragjike. Të gjithë ne që kemi qenë të zgjedhur si ministra jemi ndërruar në situata të ndryshme, ajo është shumë praktike dhe e shëndetshme. Ata të cilët mendojnë se mund t’i bëhet një padrejtësi është krijuar një opinion se ai nuk është i suksesshëm dhe nuk e pëlqejnë votuesit dhe strukturat, mund të s’postohet të punojë për partinë dhe të rikthehet. Nuk e di pse qenka fundi botës nëse Artani, Bujari apo Fatmir Besimi kolegu im mund të rikonstruohet”, u shpreh Musa Xhaferi, BDI.

Xhaferi madje kritikoi bashkë partiakët e tij për përvetësimin e padrejtë të meritave, si anëtarësimi në NATO derisa punët praktike i kanë lënë duke çaluar.

“Me çka janë marrë këto ministrat? Me rregullimin e çështjes….Mos të kemi iluzione se ministrat e BDI-së e kanë futur Maqedoninë në NATO. Nuk jemi ne 48-50 se mund të mashtrohemi se gjoja ndikimi jonë e ka bindur Makronin dhe Qeverinë Bullgare të kemi një marrëveshje. Fatmirësisht se u bë ajo, por ne kemi edhe punë praktike”, tha Musa Xhaferi, BDI.

Kritikave të Xhaferit iu përgjigj vetëm ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi duke thënë se në mbledhje të Kryesisë Qendrore do të thuhet gjithçka rreth sukseseve dhe dështimeve të ministrave të BDI-së.

“Sa i përket raportit dhe ajo çka ka ndodhur mbi realizimin e investimeve kapitale, ato do të raportohen në Kryesi Qendrore dhe në baza ditore çdo funksionar i BDI-së dhe jo vetëm e informojnë opinionin se sa janë realizuar investimet në fusha të ndryshme”, tha Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Asnjë nga ministrat tjerë të BDI-së, përfshi edhe zëvendëskryeministrin e parë nuk pati koment për kritikat dhe akuzat e Xhaferit. Ky i fundit mbrëmë në emisionin 200 potencoi edhe arsyet për humbjen e BDI-së në Tetovë, si mos rregullimi i stadiumit të qytetit dhe spitalit të qytetit. Xhaferi në cilësinë e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të BDI-së potencoi edhe mos zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në komisionet qeveritare dhe vonesat në ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër. Lidhur me akuzat e grupit të zjarrit ndaj Grubit dhe pretendimet se ai mund të zë vendin e Ali Ahmetit, Xhaferi tha se një gjë e tillë asnjëherë nuk do t’i lejohet zëvendëskryeministrit të parë. /Alsat.mk Gazetar: Adrian Kerimi

Të fundit