12/07/2024
33.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Xhejms Rubin pas Podgoricës vjen në Shkup në bisedime për përballjen me dezinformatat ruse

Përfaqësuesi special dhe koordinator i Qendrës për angazhim global i Departamentit amerikan të shtetit, Xhejms Rubin, pas vizitës në Podgoricë, pritet të vijë në Shkup në bisedime me autoritetet e vendit për luftë kundër dezinformatave.

Rubin dje pas takimeve që i pati në Podgoricë, deklaroi se është i bindur se Mali i Zi më nuk do të kthehet nga Beogradi dhe Moska.

Në brifingun me gazetarët shprehu bindjen se lufta kundër dezinformatave do të jetë prioritet i qeverisë së re në Mal të Zi.

Rubin, siç transmetojnë mediat malazeze, vlerësoi se do të jetë e vështirë të arrihet progres në Ballkanin Perëndimor, nëse dezinformatat ruse dominojnë në këtë hapësirë.

Theksoi se në Mal të Zi ka numër të madh portalesh të cilat përhapin dezinformata nga Rusia dhe Kina.

“Për shembull, informacionet se në Ukrainë ka fabrikë për prodhimin e armëve biologjike janë të rrejshme. Gjithashtu, është gënjeshtër se SHBA-ja ka dashur luftë në Ukrainë”, tha Rubin.

Përveç Malit të Zi, ai këtë javë do t’i vizitojë edhe Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për të folur për luftën kundër dezinformatave ruse, si edhe për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit.

“Në Podgoricë dhe në Shkup, i dërguari special Rubin do të takohet me përfaqësues qeveritarë për ta përforcuar mbështetjen për nismat kundër dezinformatave. Ai do të bisedojë për angazhimin e Rusisë, Republikës Popullore të Kinës dhe aktorët e tjerë dashakeqës të cilët përdorin dezinformata për ta minuar demokracinë dhe sigurinë kombëtare në mbarë botën si dhe se si kombet tona munden në mënyrë kolektive t’i kundërshtojnë kërcënimet në hapësirën informative”, kumtoi Departamenti i Shtetit.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, është paraparë të ketë takim me ambasadorët amerikanë të Ballkanit Perëndimor.

Xhejms Rubin u emërua në detyrën i dërguar special dhe koordinator i Qendrës për Angazhim Global i Departamentit amerikan të shtetit, nga sekretari shtetëror Entoni Blinken në dhjetor të vitit 2022.

Ka karrierë 35-vjeçare në politikën e jashtme. Ka punuar si diplomat, këshilltar politik, komentator, profesor dhe raportues.

Rubin ishte zëdhënës i Departamentit të shtetit gjatë luftës në Kosovë, ndërsa deri në vitin 2022 edhe ndihmës-sekretar i shtetit, gjatë mandatit të Medlin Ollbrajtit, në administratën e presidentit Bill Klinton.

Të fundit