13/04/2024
16 C
Tetovo

Të tjera lajme

Zelensky kërkon hetim ndërkombëtar pas akuzave të Kremlinit për rrëzimin e avionit

Kremlini ka akuzuar sërish Ukrainën për rrëzimin e një avioni ushtarak rus, që tha se po bartte 65 ushtarë ukrainas të kapur gjatë luftës. Ata, më 24 janar po transportoheshin për këmbim të burgosurish. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, bëri thirrje për një hetim ndërkombëtar të këtij rasti.

Avioni u rrëzua në rajonin e Belgorodit pranë kufirit me Ukrainën.

Rrëzimin e aeroplanit transportues ushtarak, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e quajti “akt monstruoz”, megjithëse Moska ende nuk ka treguar ndonjë provë se ai u rrëzua nga një raketë ukrainase apo që ushtarët ukrainas ishin në bord.

Derisa nuk tha se kush e rrëzoi avionin, Zelensky tha se “duhet të vërtetohen të gjitha faktet… shteti ynë do të insistojë për një hetim ndërkombëtar”.

Zyrtarët ukrainas kanë thënë se këmbimi i të burgosurve ishte planifikuar të bëhej më 24 janar dhe Rusia nuk e kishte informuar Ukrainën se të burgosurit ukrainas do të fluturonin me aeroplanë mallrash.

Drejtoria kryesore e inteligjencës e Ukrainës tha se nuk ka “informacion të besueshëm dhe gjithëpërfshirës” se kush ishte në bordin e avionit por tha se të burgosurit rusë, për të cilët ishte përgjegjëse, “u dorëzuan në kohë në pikën e këmbimit të kushtëzuar, ku ata ishin të sigurt”.

Ekspertët e aviacionit i thanë Radios Evropa e Lirë se ishte e mundur që një raketë kundërajrore ukrainase të rrëzonte aeroplanin, por shtuan se ai mund të ketë qenë gjithashtu kundërajror rus.

“Gjatë hetimit, ju mund të përcaktoni lehtësisht se cili sistem e rrëzoi aeroplanin bazuar në elementët dëmtues të raketave”, tha Roman Svitan, një kolonel rezervë i Forcave të Armatosura të Ukrainës dhe një pilot instruktor i aviacionit luftarak.

Kur u pyet për pretendimet ruse për dhjetëra të burgosur në bord, Svitan tha se nga pamjet e publikuara deri më tani, ai nuk ka parë asnjë provë për të mbështetur deklaratat.

“Nga pamjet që ishin aty, i shikova të gjitha, nuk është e qartë se ku janë dhjetëra trupa… Nuk shihet fare një trup i vetëm. Një kohë kam qenë hetues ushtarak, duke përfshirë edhe hetimin e fatkeqësive; më besoni, nëse do të kishte shtatëdhjetë apo tetëdhjetë njerëz atje, fusha do të ishte me kufoma dhe mbetje trupash”, shtoi Svitan.

Rusia akuzoi Ukrainën se e rrëzoi qëllimisht avionin transportues ushtarak Ilyushin Il-76 duke thënë se radari rus regjistroi lëshimin e dy raketave nga rajoni i Harkivit i Ukrainës, i cili kufizohet me rajonin Belgorod.

Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha në një deklaratë, që nuk përmendi rrëzimin, se ushtria ukrainase kishte vërejtur më shumë avionë transporti ushtarak rus që u ulën në Belgorod, dhe e ndërlidhi këtë me sulmet raketore ruse në Harkiv dhe qytete të tjera të Ukrainës.

“Me këtë në mendje, Forcat e Armatosura të Ukrainës do të vazhdojnë të marrin masa për të shkatërruar mjetet e shpërndarjes dhe të ushtrojnë kontrollin e hapësirës ajrore për të eliminuar kërcënimin terrorist, përfshirë atë në drejtimin Belgorod-Harkiv”, thuhet në Telegram.

Një deklaratë e inteligjencës ushtarake ukrainase, në Facebook, tha se Kievit nuk i ishte kërkuar të garantonte sigurinë e hapësirës ajrore rreth zonës së Belgorodit, siç ishte rasti gjatë shkëmbimeve të mëparshme të të burgosurve të luftës.

Ajo tha se akuzat e Rusisë se Kievi rrëzoi avionin e transportit mund të jenë “një veprim i planifikuar për të destabilizuar situatën në Ukrainë dhe për të dobësuar mbështetjen ndërkombëtare për shtetin tonë”.

Rusia bëri thirrje për një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 25 janar për të diskutuar rreth rrëzimit të avionit, të cilin ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, e quajti një akt “kriminal” nga Ukraina.

Zyrtarët rusë thanë se avioni po bartte 65 ushtarë ukrainas, gjashtë anëtarë të ekuipazhit dhe tre shoqërues.

Radio Evropa e Lirë e ka siguruar një listë të gjashtë anëtarëve të ekuipazhit, që supozohej të ishin në fluturim. Vdekjen e tre anëtarëve të ekuipazhit e kanë konfirmuar për REL-in të afërmit e tyre.

Një video në mediat sociale tregonte një aeroplan që po rrëzohej në tokë, i ndjekur nga një zhurmë e fortë dhe një shpërthim që drejt qiellit dërgoi flakë dhe një shtëllungë tymi./REL/

Të fundit