02/05/2024
13.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

Zgjedhje të parakohshme, në këmbim të ndryshimeve kushtetuese, kërkesa e Taravarit

Kryetari i partisë Aleanca për Shqiptarët, në Maqedoninë e Veriut, Arben Taravari, thotë se partia e tij është gati të pranojë opsionin e zgjedhjeve të parakohshme si kusht që parlamenti të miratojë ndryshimet në kushtetutë, qoftë kur bëhet fjalë për përfshirjen e pakicës bullgare, si komb shtetformues, të cilin e konsideron të panegociueshëm, ashtu edhe për përfshirjen në ligjin themelor, të fjalës ‘gjuha shqipe’.

Aktualisht në Kushtetutën e vendit, gjuha shqipe nuk përmendet, por nënkuptohet, si gjuhë të cilën e flasin, mbi 20 për qind e numrit të përgjithshëm të popullsisë. Mazhoranca nuk i ka votat për t’i bërë këto ndryshime, që do të kërkonin mbështetjen e 80 ligjvënësve, ose të 2/3 të parlamentit.

Për zotin Taravari zgjidhja në këtë rast mund të ishin zgjedhjet e parakohshme, që do të ofroheshin në këmbim të këtyre ndryshimeve. Ai shton se partia e tij ia ka bërë tashmë këtë ofertë në rrugë jozyrtare partisë kryesore opozitare, VMRO-DPMNE-së.

Gjatë intervistës për Zërin e Amerikës, zoti Taravari flet dhe mbi kërcënimin që kanë bërë së fundmi disa parti të vogla për t’u larguar nga koalicioni qeverisës, nëse nuk kryhen reforma zgjedhore.

Ato kërkojnë ndryshimin e modelit zgjedhor, nga gjashtë njësi zgjedhore që ka aktualisht në vend, në një të vetme. Po kështu kërkojnë një sistem me lista të hapura, si dhe heqjen e pragut elektoral. Duket se kundërshtia më e madhe mes partive në koalicion mbi reformën, lidhet me njësitë zgjedhore. Aleanca për Shqiptarët thotë se ajo prej kohësh i mbahet qëndrimit për të rritur numrin e zonave zgjedhore, nga 6 aktualisht, në 8 të tilla.

Aktualisht mazhoranca, që udhëhiqet nga Lidhja Social Demokrate, ka 65 deputetë, në një parlament me 120 vende. Humbja e çdo deputeti, mund ta bënte edhe më problematike balancën e shifrave në parlament. Por zoti Taravari thotë i bindur se qeveria nuk rrezikon të humbasë shumicën në parlament dhe se mbi këtë çështje do të arrihet një marrëveshje.

Të fundit