20/05/2024
17.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

Zjarrfikësit e Tetovë me probleme të shumta, s’kanë pajisje përkatëse

Njësia territoriale kundër zjarrit në Tetovë me 98 zjarrfikës të punësuar, po funksionon me probleme të shumta. Krahasuar me numrin e banorëve, njësia duhet të ketë 155 zjarrfikës. Përveç stafit mungojnë edhe pajisjet, sidomos makineritë dhe veshjet kundër nxehtësisë.

Kamionët që përdoren për momentin, janë më të vjetër se 30 vjet.

“Në fakt rajoni i Pollogut dhe pesë komunat për rreth, në kokë banori duhet të kemi së paku edhe 55 zjarrfikës profesionistë që ta plotësojmë numrin që kërkon BE dhe NATO. Pajisjet siç e shihni vetë i kemi krejt donacione. Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim ka bërë disa ndërhyrje në disa raste siç ishte ai i fundit me donacionin për rrënojat e tërmetet. Ndërsa nga shteti nuk kemi marrë asnjëherë ndonjë automjet apo gjë tjetër. Sepse që nga pavarësia e Maqedonisë e deri më tani, NJTKZ Tetovë është pajisur me vetëm një kamion, gjitha tjerat që i shihni janë donacione”, deklaroi Avni Ameti, kryeshef i NJTKZ Tetovë.

Për funksionim më të mirë, njësia territoriale kundër zjarrit në Tetovë me vite kërkon disperzim edhe në komunat rurale. Kreu i komunës së Tetovës Bilall Kasami theksoi se do kërkojë nga komunat rurale në rast së nuk mund të formojnë njësitet e tyre të zjarrfikësve, të paktën të paguajnë një sasi parash për të shtuar numrin e punëtorëve në njësitin e Tetovës.

“Jemi në komunikim me komunat e tjera, sidomos komunat që mbulon kjo njësi, që në bazë të Ligjit komunat duhet të participojnë në financimin e njësisë kundër zjarrit. Ne fillimisht do ju ofrojmë gjitha komunave për rreth që të nënshkruajnë një kontratën që të marrin përsipër edhe mbulimin e një pjese të shpenzime të njësisë, dhe do ju mundësojmë që të hapim bashkë njësi të disperzuara në këta komuna”, tha Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.

U drejtuam edhe në komunat rurale, për të marrë përgjigje se, përse ata vetë nuk krijojnë njësitet kundër zjarrit, por arsyetimi i tyre është se krijimi i këtyre njësive kërkon më shumë fonde të cilat komunat nuk i kanë dhe për këtë është e domosdoshme përkrahja e pushtetit qendror.

Të fundit