26/04/2024
3.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

11 tunele në autostradën Shkup-Bllacë! Do të merren edhe 167,6 milionë euro borxh

Premtimet filluan në vitin 2002, e tani jemi në vitin 2022, megjithatë autostrada Shkup-Bllacë ende nuk ka datë konkrete për realizim.

Së fundmi nga Qeveria bën të ditur se është miratuar teksti i propozim ligjit me të cilin Republika e Maqedonisë së Veriut është garantues për NP Rrugët e Shtetit në huamarrjen nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Edhe pse fillimisht për pjesën e dytë të projektit, respektivisht 10.5 km parashihej buxhet prej 120 milionë eurove, nga Qeveria për TV21 bën të ditur se bëhet fjalë për 167,6 milionë euro hua.

“Me Propozim ligjin për garanci, parashihet sigurimi i 167.6 milionë eurove nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, të cilat sigurohen me afat pagese prej 16 viteve, me grejs periudhë të përfshirë prej 4 viteve dhe normë interesi variabile dhe të përbërë prej EURIBOR gjashtëmujor të rritur për margjinë prej 1%”, thonë nga Qeveria.

Drejtori i NP Rrugët e Shtetit, Ejup Rustemi tha se ky dallim është bërë për shkak të konkretizimit të projektit.

“Nga projektuesi dhe projekti i paraparë për këto 10 kilometra rrugë në njërën anë do të kemi gjashtë tunele, nga ana tjetër 5 dhe gjithsej gjatësia e tuneleve do të jetë 2km. Prandaj edhe vlerësimi tani është më i lartë i kësaj autostrade. Në qershor të këtij viti duhet të kemi marrëveshjen për kreditimin që do ta nënshkruaj Ndërmarrja Publike për Rrugët e Shtetit bashkë me ministrin e financave dhe Bankën Evropiane për Zhvillim dhe Rikonstruim. Pas asaj do të kemi edhe kohën, se për sa kohë do të kemi edhe realizimin e këtij projekti”, tha Ejup Rustemi, drejtor i NP “Rrugët Shtetërore”

Veç huas Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin në fjalë ka paraparë edhe 30 milionë euro grant.

Ndryshe, nuk kanë përfunduar as 2 kilometrat e para të autostradës edhe pse të njëjtat duhej të përfundonin në mars të këtij viti. Drejtori bëri të ditur se është duke u punuar intenzivisht, megjithatë as për to nuk ka datë konkrete për përfundim.

Të fundit