26/04/2024
8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Albiz dhe Komuna e Sarajit në aksion humanitar

Për hir të muajit të shenjtë të Ramazanit, donatorët e fondacionit “Albiz”, kanë ndarë pako ushqimore për njëqind e njëzetë e pesë familje në nevojë. Ky aksion u realizua në bashkëpunim me komunën e Sarajit dhe do t’u shpërndahen familjeve skamnore në të gjitha vendbanimet e komunës.

Për këtë qëllim kryetari i komunës së Sarajit, Blerim Bexheti ka vizituar kompaninë Dauti Komerc ku ka vëzhguar procesin e përgatitjes së pakove ushqimore të cilat më pas do tu ndahen familjeve në nevojë. Pronari i kompanisë, Xhemail Dauti, pas takimit me kryetarin e komunës së Sarajit Blerim Bexheti, ka thënë se kompania që drejton ai gjithmonë do të jetë në mbështetje të atyre familjeve që janë në nevojë.

“Solidariteti, është një aktivitet human i cili është bërë gjithashtu tek myslimanët gjatë këtij muaji të begatë. Besimtarët solidarizohen me kontributet e tyre modeste, por fisnike që për shtresën në nevojë është e domosdoshme dhe shumë me vlerë. Ky veprim bën që të varfrit të ndjehen mirë në mesin e vëllezërve myslimanë dhe të kuptojnë fare mirë se ata nuk janë vetëm, por gëzojnë përkrahjen e vëllezërve të tyre. Kjo e bën jetën më të qetë e më të sigurt në një kohë kur njerëzit jetojnë me ndjenjën e pasigurisë ekonomike në prag të pandemisë së Kovid 19”,ka deklaruar Dauti.

Nga ana tjetër kryetari i komunës, ka falënderuar donatorët e fondacionit “Albiz “për kontributin e tyre që japin si në aspektin e bamirësisë ashtu edhe në projektet që kanë të bëjnë me ngritjen e vetëdijes tek popullata e Sarajit por edhe më gjerë.

”Falënderoj kompanitë të cilat janë pjesë e fondaciont, të cilat iu përgjigjën pozitivisht iniciativës tonë për të ndihmuar familje me nevojë në prag të muajit të Ramazanit. Më gëzon fakti që kompanitë të cilat operojnë në komunën e Sarajit gjithnjë e më tepër bëhen pjesë e rëndësishme e zhvillimeve në komunën tonë por edhe më gjerë, duke treguar një vetëdije të lartë në ngritje e përgjegjësisë shoqërore”, ka deklaruar Bexheti.

Kompania Dauti Komerc, përmes fondacionit “Albiz”,vetëm para disa ditëve ka shpërndarë për mjekët maska mbrojtëse, doreza, skafandra, syze mbrojtëse dhe dezinfektues për spitalet dhe institutet e shëndetit publik. Në këtë aksion u përfshinë Spitali klinik bashkë me Qendrën e shëndetit publik në Tetovë, Klinika për alergologji dhe pulmologji, Shtëpia e shëndetit në Kumanovë, Qendrën për shëndet publik në Shkup, Spitalin psikiatrik dhe spitalin e specializuar të geriatrisë “13 Nëntori”. fab/

Të fundit