26/04/2024
8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Bashkimi Evropian kërkon legalizim të objekteve

Legalizimi i objekteve të ndërtuara pa leje ka dëshpëruar shumicën e popullatës në Maqedoninë e Veriut. Premtimi për legalizim të tyre për 1 euro metri katror po zhgënjen qytetarët çdo ditë e më shumë.

Në fillim të procesit të legalizimit të objekteve të ndërtuara në mënyrë të jashtëligjshme, nga marsi deri në shtator të vitit 2011, janë dorëzuar mbi 360.000 kërkesa. Në afatin plotësues, i cili, u mundësua në fillim të vitit 2016, janë dorëzuar edhe 80.000 kërkesa, që do të thotë se gjithsejtë janë dorëzuar rreth 440 mijë kërkesa për legalizim. Por, nga të dhënat e fundit të publikuara prej institucioneve kompetente tregojnë se deri më tani janë legalizuar rreth 200 mijë objekte duke fituar statusin juridik dhe janë regjistruar në kadastër.

Madje një ndër kushtet e Bashkimit Evropian për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut është edhe rregullimi i dokumentacioneve të shtëpive, pronave private dhe atyre të bizneseve. Brukseli zyrtar nuk do të lejojë që vendi të bëhet anëtarë i tyre pa pasur një pasqyrë të qartë për adresat e qytetarëve, shtëpive të regjistruara si dhe efikasitet në punën e kadastrës.

Me fonde ndërkombëtare janë bërë një sërë ndryshimesh dhe avancimesh në kadastrën e Maqedonisë së Veriut, duke mundësuar azhurnim të shpejtë të të dhënave dhe qasje elektronike tek kadastra.

Çdo vonesë në përmbylljen e shpejtë të të gjithë lëndëve të hapura nënkupton kokëdhimbje e probleme për qytetarët, por mbi të gjitha edhe vonim e bllokim të integrimit evropian.

Të fundit