23/02/2024
10.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Dibër, rritet numri i të infektuarve tek të rinjtë

Shtabi operativ i krizës dhe kryetari Hekuran Duka po ashtu kanë vlerësuar situatën si tepër shqetësuese dhe kanë kërkuar që popullata tërësisht të respektojë masat dhe protokollet nëpër objektet shërbyese, sidomos nga ana e të rinjve

Vjollca SADIKU

Dibër, 21 qershor – Mosrespektimi i masave, e sidomos protokolleve në objektet shërbyese të Dibrës, është shkaku kryesor që në Dibër së fundmi po rritet numri i të infektuarve me koronavirusin, ndërsa vetëm dje u regjistruan 18 të sëmurë, kryesisht të rinj. Këtë e deklaroi udhëheqësi i Entit për shëndet publik në Dibër, epidemiologu Mentor Mela, i cili situatën e vlerëson si tejet shqetësuese. Mela thotë se nuk po respektohet mbajtja e maskave, por edhe distanca e të rinjve nëpër kafeteri, ku faktikisht është edhe rreziku më i madh.

Mbi 50 dibranë janë në izolim shtëpiak, si në qytet ashtu edhe në fshatra. Vet numri i madh i atyre që janë prekur nga koronavirusi tregon se priten edhe raste të tjera. Duhet një disiplinë totale ashtu siç ishte në fillim të pandemisë, thekson Mela, i cili vazhdon të jetë të gjithë kohën në terren.

Shtabi operativ i krizës dhe kryetari Hekuran Duka po ashtu kanë vlerësuar situatën si tepër shqetësuese dhe kanë kërkuar që popullata tërësisht të respektojë masat dhe protokollet nëpër objektet shërbyese, sidomos nga ana e të rinjve. “Aq numër i madh infektimesh të reja nuk kemi pasur as në kohën kur kemi qenë vatër e sëmundjes. Këto janë raste pozitive të konfirmuara nga 40 strishot e bëra. Të gjithë të infektuarit janë nga Dibra. Sipas vlerësimit të personave ekspert, numri i të infektuarve do të rritet që është rezultat i mosrespektimit të rekomandimeve për mbrojtje personale dhe protokolleve në kafene, markete dhe institucione tjera”, deklaroi Duka. Ai tha se numri i fundit është më shumë se një paralajmërim se kujdesi dhe ndërgjegjja duhet të jenë në nivelin më të lartë nëse duam të mbrojmë veten, të afërmit dhe shtetin.

Ndryshe në Dibër e cila ishte vatër e virusit të rrezikshëm, numri total i të infektuarve është rritur në 81, prej tyre 48 janë shëruar, katër kanë vdekur, derisa aktive janë 29 raste. Në ndërkohë, Komuna ka vazhduar me dezinfektime në shumë lagje të Dibrës. (koha.mk)

Të fundit