26/04/2024
3.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

Editorial / Vendimi i Talat Xhaferit i drejtë, jo politik

Vendimi i kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi që të hedhë poshtë nismën e partisë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE-së për organizimin e një referendumi për anulimin e Marrëveshjes me Bullgarinë ka ndezur skenën politike në Maqedoninë e Veriut.

A ka të drejtë Xhaferi në këtë që e bën, apo është thjesht hakmarrje ndaj opozitës. Burrështetasit e vërtetë duhet të marrin vendime të rëndësishme, shumë të vështira në momentet më kritike, dhë pikërisht duke e mbrojtur Kushtetutën, Xhaferi i bëri ballë sërish presionit në VMRO DPMNE-së.

A e ka me të drejtë Xhaferi!

VMRO DPMNE-ja kishte dorëzuar nismën për referendum me arsyetimin se “Marrëveshja me Bullgarinë është antikombëtare dhe antishtetërore, pasi rrezikon identitetin dhe gjuhën maqedonase”, ndërsa kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, tha se “iniciativa për referendum nuk është në përputhje me Kushtetutën”, në të cilën, sipas kreut të Kuvendit, thuhet se “marrëveshjet ndërkombëtare që janë ratifikuar janë pjesë e rendit të brendshëm juridik dhe nuk mund të ndryshohen me ligj”.

Marrëveshja me Bullgarinë ishte propozuar nga Franca dhe parasheh që gjatë procesit të bisedimeve me Bashkimin Evropian, Maqedonia e Veriut të zgjidhë çështjet e hapura lidhur me aspektet historike, ndërsa ato për gjuhën dhe identitetin është thënë se nuk do të jenë pjesë e bisedimeve.

Sipas marrëveshjes, Maqedonia e Veriut para nisjes formale të bisedimeve për anëtarësim në bllok, duhet të ndryshojë Kushtetutën për të përfshirë pakicën bullgare në preambulën e saj.

Talat Xhaferi vendimin e tij e arsyetoi me fakt bindës duke u mbështetur në Kushtetutë, ku tha se me formën se si është formuar kërkesa për referendum, nuk mund të lejohet një referendum i tillë, sepse është në kundërshtim me Marrëveshjet ndërkombëtare. Dhe, parë nga ky këndvështrim, kryetari i Kuvendit ku votohen ligjet me të cilat funksionon shteti, me të drejtë ka dalë në mbrojtje të Kushtetutës dhe në këtë mënyrë ka penguar një iniciativë të jashtëligjshme.

VMRO DPMNE do të dështonte në referendum, por edhe shteti do të humbte miliona euro

VMRO DPMNE ka reaguar ashpër për vendimin e Xhaferit duke theksuar se pretendimi për anti-kushtetutshmërinë e iniciativës nuk qëndron sepse sipas opozitës nisma është në përputhje me Ligjin për referendum.

“Referendumi për anulimin e Ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes me Bullgarinë është në përputhje me nenin 24 të Ligjit për referendum dhe nuk bie ndesh me Kushtetutën. [Ky nen] mundëson referendum edhe për marrëveshjet ndërkombëtare. Pyetja që VMRO DPMNE-ja do të parashtrojë në referendum, nuk e ndryshon përmbajtjen e marrëveshjes, por konteston ligjin e ratifikimit që e shpall atë të pavlefshëm”, thuhet në reagimin e opozitës maqedonase.

VMRO DPMNE ishte e vetëdijshme se ky referendum mund të dështonte sepse nevojiteshin mbi 910 mijë votues të cilët do të dilnin të votonin, e ky numër është vështirë i arritshëm. Kryetari i saj, Mickoski paralajmëroi se mund edhe të dështojë ky referendum, por ata nuk do heqin dorë nga Marrëveshja me Bullgarinë.

Kjo situatë e favorizon VMRO DPMNE-në sepse tanimë kjo e fundit do të bazohet me arsyetimin se pushteti nuk lejoi të dëgjohet populli dhe në një farë formë në të ardhmen do të ngritet rejtingu edhe më shumë te nacionalistët maqedonas.

Nëse mbahej referendumi, dhe sërish ai dështonte, kjo do të nënkuptonte se do të harxhoheshin miliona euro nga buxheti i shtetit për organizim të referendumit, ngjashëm siç harxhohen mjete kur ka zgjedhje, e sërish në fund nuk do kishte asnjë rezultat të duhur. Përveç parave, do të humbej edhe 3-4 muaj kohë që të përgatitej e deri sa të mbahej ky referendum, e që në fund nënkupton se të humbur dalin qytetarët, e prej tyre vetëm fitojnë apetitet e politikanëve.

Qeveria e vendosur të mos humb shansin në rrugën e integrimeve për në BE

Qeveria aktuale e Maqedonisë së Veriut është e vendosur që mos të bëjë gabimin e ngjashëm me Greqinë, dhe për këtë arsye kërkon që në të gjitha format e mundshme të vazhdojë rrugën e integrimit të vendin në Bashkimin Evropian.

Lidhja Social Demokrate që drejtohet nga kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se nisma e VMRO DPMNE-së ka për qëllim pengimin e rrugës së integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Kjo opozitë dëshiron që Maqedonia e Veriut të kthehet në periudhën e izolimit të vendit. Maqedonia e Veriut i ka filluar negociatat me BE-në në çështjen e etnisë së maqedonasve duke thënë se bëhet fjalë për maqedonas dhe se gjuha maqedonase do të jetë pjesë e BE-së. Andaj, nuk ka kthim prapa nga ajo rrugë e integrimeve.

Dikur VMRO-DPMNE ishte parti që kujdesej për interesat strategjike shtetërore, votonte rezoluta, deklarata për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE dhe NATO “ndërsa tani me këtë lidership ajo po bën gjithçka për të kërcënuar anëtarësimin në NATO dhe për të penguar rrugën drejt BE-së”.

Ndryshimi i Kushtetutës bëhet me dy të tretat e votave, të cilat shumica parlamentare nuk i ka, pasi VMRO DPMNE-ja ka thënë se deputetët e saj do të votojnë kundër, por qeveria ende është optimiste se do të gjenden edhe 5-6 deputetë që do të votojnë pro këtyre ndryshimeve.

Ndryshe, vendimi i Xhaferit në këtë kohë të vështirë ishte vendim në mbrojtje të Kushtetutës dhe mosdevijimin e rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut.Zhurnal.mk

Të fundit