29/03/2024
18.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

Koronavirusi ulë remitencat, rrezikon shumë biznese në Maqedoninë e Veriut

Mungesa e remitencave, përkatësisht mbështetja financiare nga diaspora, tashmë ka filluar të ndjehet, theksojnë afaristët, duke theksuar se paratë që sillnin punëtorët me punë të përkohshme në vendet e Bashkimit Evropian, si dhe paratë e mërgimtarëve të cilët kalonin pushimet në Maqedoninë e Veriut mbeten burim serioz për ekonominë e vendit.

Në bazë të të dhënave nga Banka Popullore, diaspora në periudhën 2009 -2018 në Maqedoninë e Veriut i ka sjellë të ardhura brenda vitit në një mestare prej rreth 200 milionë euro, të dhëna këto që bazohen në burimet administrative siç janë pagesat përmes llogarive bankare si dhe transferim i shpejtë i parave.

Përderisa, ekspertët e ekonomisë thonë se të ardhurat nga remitencat janë madje 10 herë të larta nga ajo që paraqiten zyrtarisht sepse një vlerë shumë e lartë e parave në vend vijnë përmes transferve të ndryshme që nuk regjistrohen.

Drilon Iseni, drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, për Radion Evropa e Lirë thotë se kthimi i parave nga diaspora në formë të remitencave paraqesin një burim shumë të rëndësishëm për ekonominë e vendit.

“Këto mjete janë shumë të rëndësishme pasi ato injektohen në ekonominë e vendit edhe pse këto mjete kryesisht janë për qëllime sociale, ato ndikojnë në rritjen e konsumit. Por, do theksuar se ka më shumë raste që këto mjete kthehen edhe në formë të investimeve edhe atë të investimeve shumë të suksesshme”, thekson Iseni.

Ndërkaq ish-kryetari i Lidhjes së Odave të Maqedonisë, Mirçe Çekrexhi, për Radion Evropa e Lirë thotë se remitencat për Maqedoninë e Veriut paraqesin burim vendimtar për të mbuluar vrimën e shkaktuar nga deficiti.

“E dini se ne deficitin me vite e mbulojmë me të ardhurat që vijnë nga remitencat duke ruajtur në një farë mënyre bilancin e llogarisë së arkës së shtetit. Kështu që më duhet të theksoj se mungesa e remitencave do të ketë impakt shumë negative në ekonominë e vendit, unë pres që të ardhurat nga diaspora të paktën të ulen për 20 për qind, mbase edhe më shumë”, thotë Çekrexhi.

Afaristët thonë se mungesa e parave nga jashtë ndjehet edhe për shkak të anulimit të ahengjeve familjare që ishin burim kryesor për shumë njerëz, thënë kushtimisht industria e dasmave ku bëjnë pjesë restorantet, butiqet e veshjeve, parukeritë e të tjera.

Në këtë drejtim, Alaudin Zeqiri, ekspert i ekonomisë, për Radion Evropa e Lirë thotë se mikrobizneset do të jenë të parët që do të goditen nga mungesa e parave që vijnë nga jashtë në formë të remitencave, pasi këto mjete kryesisht ndikojnë në potencialin prodhues të vendit.

“Implikimet janë shumëdimensionale, pra nuk mund të veçojmë një ose dy kategori të sektorit real që do të goditet nga ky sindrom ose kategoritë e tjera jo. Efektet do të jenë evidente nga mungesa e remitencave në më shumë lëmi veçanërisht në mikrobizneset” thotë Zeqiri.

Ndryshe, edhe sipas raportit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në t‘kurrjen e ekonomisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor, për shkak të krizës së koronavirusit do të ketë hise te mungesa e të hyrave nga turizmi, remitencat, eksportet e mallrave dhe investimet e huaja direkte do të ulen si pasojë e kufizimeve të udhëtimit dhe efektit të shkaktuar nga kriza e koronavirusit./REL/

Të fundit