23/05/2022
15.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

Kosova dhe Shqipëria me platformë digjitale e përbashkët për turizmin

Një grup ministrash nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut vizituan jugun e Shqipërisë këtë fundjavë me qëllim krijimin dhe forcimin e urave të komunikimit dhe zbulimit të mundësive dhe hapësirave të reja në turizëm.

Me ftesë të ministres së Turizmit dhe Mjedisit tw Shqipwrisw, Mirela Kumbaro, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrulla Çeku, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Liburn Aliu si dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Maqedonisë së Veriut Naser Nuredini, vizituan të shtunën Përmetin për të udhëtuar më pas drejt Gjirokastrës.

Në këtë takim u ideua krijimi i një platforme të përbashkët digjitale për promovimin e turizmit Shqipëri-Kosovë, gjë për të cilën dy ministret e turizmit u dakorduan që të ngrenë një projekt të përbashkët, raporton atsh.

Gjatë qëndrimit në Përmet, një prej rrugëve të këtij qyteti iu vendos emri i të riut Përmet Vula, djaloshit i lindur në Kosovë e me origjinë nga Përmeti i cili ra dëshmor për lirinë e Kosovës. Të pranishëm ishin edhe familjarët e dëshmorit Vulaj.

Ministrja Kumbaro në fjalimin e mbajtur e quajti bir të trevës së Përmetit.

“Besoj që është një ndër rastet ku ne nuk i kemi fjalët bosh, as emrat pa kuptim, u japim atyre peshë nga historia e kombit tonë, edhe nuk ka kufij, nuk ka pasaportë, nuk ka vendim administrativ, nuk ka organizatë ndërkombëtare, nuk ka ligj as kushtetutë që të mund ta ndalojë qarkullimin e gjakut brenda një kombi”, tha ministrja Kumbaro.

Ministrja Kumbaro falenderoi kolegët nga Kosova e Maqedonia e Veriut dhe tha se ky është rasti për t’u dhënë brezave të rinj mesazhin që gjërat nuk bëhen sot për sot.

“Jam shumë mirënjohëse për këtë gjë dhe jam e nderuar që miq dhe kolegë të mitë na u bashkuan dhe pranuan ftesën për të kaluar këtë fundjavë në jug të Shqipërisë sepse kombi shqiptar është një, pavarësisht martesave, koordinatave gjeografike, e kemi të gjithë të përbashkët. Dhe që ta ndiejmë fort që e kemi të përbashkët na duhet ta njohim dhe që ta njohim na duhet ta prekim. Kjo ishte një ndalesë për të ndarë dhe për të pranuar që një ndër bijtë e lirisë së Kosovës ta kemi në mes tonë, të njohim më mirë njëri tjetrin, të komunikojmë më mirë, por sidomos t’u japim një mesazh të rinjve, fëmijëve tanë se gjërat nuk i bëjmë për sot”, tha në mesazhin e saj Kumbaro.

Ministrat vazhduan në qytetin e Gjirokastrës, ku pas një ceremonie në bashki, vizituan pazarin e vjetër, Kalanë e Gjirokastrës, shtëpitë muze si një shembull i turizmit të qëndrueshëm.

Vizita e ministrave Hajdari, Aliu, Çeku dhe Krasniqi në qarkun e Gjirokastrës do të ndiqet në fund të muajit maj nga vizita e ministres së Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro në Prishtinë, ku do të ketë takime edhe me turoperatorët në nisje të sezonit turistik.

Të fundit