01/10/2022
18.3 C
Tetovo

Të tjera lajme

KRRE kërkon ta përcaktojë edhe çmimin përfundimtar të ujit

Komisioni Rregullator për Energjetikë dhe Shërbime të Ujit (KRRE) në periudhën e ardhshme do të kërkojë ta përcaktojë edhe çmimin përfundimtar të ujit për shërbimet publike, paralajmëroi kryetari i KRRE-së, Marko Bislimoski. Kështu, siç deklaroi për MIA-n, kjo do ta shmangë procedurën komplekse sipas së cilës KRRE mbart një çmim minimal dhe maksimal, i cili më pas konfirmohet nga këshillat e komunave ose qeveria.

“Ne besojmë se mund ta bëjmë të njëjtën gjë edhe për shërbimet e ujit, sepse në periudhën e kaluar në fushën e energjisë ne vetë i kemi marrë vendimet për çmimet dhe tarifat. Ajo që është karakteristike është që metodologjitë tona janë inkurajuese, gjegjësisht ato i bëjnë kompanitë të jenë efikase dhe ta optimizojnë punën e tyre për sa i përket kostove. Synimi ynë është t’i mësojmë ata të jenë pak më të efektshëm”, theksoi Bislimoski për MIA-n.

Është e zakonshme, shtoi ai, që kur bëhet fjalë për aprovimin e çmimeve për shërbimet e ujit nga këshillat, ato duhet të qëndrojnë në çmimin minimal, pa marrë parasysh nëse ai çmim i mbulon kostot minimale të kompanisë. Nëse kjo kompani nuk mund t’i mbulojë kostot përmes një çmimi të tillë të përcaktuar, minuset e saj mbulohen ose nga komuna ose, në disa raste, këtë e bën Qeveria.

“Ne japim një maksimum të caktuar të shpenzimeve që mund t’i ketë kompania. Nëse arrin t’i zvogëlojë shpenzimet e veta duke e ruajtur të njëjtën cilësi të shërbimeve që ofron për përdoruesit e fundit, atëherë ai dallim mund të mbetet tek kompania. Nëse ne i përcaktojmë çmimet nuk do t’i njohim të gjitha shpenzimet e bëra nga kompanitë, pasi ato janë kryesisht të mbingarkuara me punëtorë. Kur ne do ta përcaktojmë çmimin, do të themi se për një komunë është e mjaftueshme që kompania të funksionojë me një numër të caktuar të punësuarve dhe ne do t’i njohim shpenzimet për kaq shumë punonjës. Nëse kompania mendon se duhet të punësojë më shumë njerëz, kjo nuk do të jetë në kurrizin e konsumatorëve përmes një çmimi më të lartë”, sqaroi Bislimoski.

Këtë vit, siç tha ai, përfundon periudha e parë e rregulluar.

“Në muajin prill deri te KRRE filluan të arrijnë kërkesat për përcaktimin e çmimeve për shërbimet e ujit, kryesisht nga kompanitë që janë kompani ujore, gjegjësisht që kanë rezervuarë dhe sigurojnë ujë të pijshëm për kompanitë e furnizimit me ujë në të gjitha komunat. Kërkesat e kompanive të ujësjellësit ose ndërmarrjeve të shërbimeve publike gjithashtu mbërrijnë në varësi për cilën komunë bëhet fjalë. Analizat tona fillestare për ekonomitë e ujit tregojnë se çmimi i tyre do të jetë brenda intervalit ekzistues për çmimin minimal dhe maksimal që ne mbartim. Pastaj çmimi i ri do të duhet të miratohet nga bordet e tyre, pas së cilës, sipas legjislacionit do të duhet ta paraqesin atë për miratim në Qeveri”, tha Bislimoski.

Në ndërmarrjet e shërbimeve publike, saktësoi ai, bordi drejtues i kompanisë e paraqet propozimin për një çmim të ri miratimi në këshillin komunal, pas së cilës përcaktohet çmimi i ri i ujit. ls/shk/

Të fundit