11/10/2024
16.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Mesazhi i kreut të BFI-së me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame Shaqir Fetahu, ka dhënë mesazhin e tij në prag të fillimit të muajit të shenjët të Ramazanit.

Mesazhi i plotë:

“Me gëzimin më të madh po hyjmë në muajin e shenjtë të Ramazanit, muaj ky më i madhi dhe i më dalluari nga muajt tjerë të vitit.

Në këtë muaj kryejmë njërën ndër shtyllat e Islamit – agjërimin e ditëve të tij, që është obligim i deryrueshëm, ku abstenojmë nga haja dhe pija dhe punët e shëmtuara për hir të Allahut Fuqiplotë.

Përmes agjërimit dëshmojmë përkushtimin tonë ndaj Krijuesit, formojmë vetëdije të lartë mbi pozicionin tonë në Tokë për të qenë në shërbim të së mirës dhe për të evituar të keqen nga vetvetja dhe njerëzit në përgjithësi.

Ky muaj është muaj i dijes, sepse në të zbriti imperativi për të lexuar, për të mësuar, për të hulumtuar, me qëllim që të njohim krijimtarinë e Allahut Fuqiplotë.

Përmes agjërimit dhe dijes ne e kuptojmë qëllimin kryesor të jetës, e ai është kujdesi ndaj njeriut, që shprehet përmes paqes, tolerancës, humanitetit dhe solidaritetit. Në këtë ambient të lidhshmërisë sonë me Krijuesin, i drejtohemi Madhërisë së Tij me lutjet tona për të falur lëshimet, gabimet dhe të mëkatet.

Me rastin e ardhjës së këtij muaji të madhë, i drejtohemi me lutje të Madhit Zot që të ndërpritën të gjitha konfliktët luftarake sepse në konfliktët e këtilla pësojnë njerëzit e pafajshëm, hapen plagë të pashlyera te njerëzit, që formojnë psikologji të dhunës, të urrejtjes, të vrasjes e të shfarosjes së qenies njerëzore.

Të nderuar besimtarë,

Muaji i Ramazanit është muaj i begative të shumta, rast i formimit të personalitetit tonë, të pastrimit tonë shpirtëror dhe fizik, të fisnikërimit të shpirtit, të trupit tonë, të të menduarit, të forcimit të lidhjeve tona reciproke, të kultivimit të respektit dhe të thellimit të dashurisë ndaj njëri-tjetrit. Ky muaj është edhe rast i volitshëm i pajtimit tonë, i shtrirjes së ndihmës atyre që kanë nevojë – në veçanti, të varfërve dhe skamnorëve, sepse vetëm në këtë mënyrë do të jemi më afër kënaqësisë dhe faljes së Allahut Fuqiplotë.

Më lejoni që në emër të BFI të RMV dhe në emrin tim t’ju shpreh urime të përzemërta me këtë rast, me lutje Allahut Fuqiplotë që të na japë forcën e imanit, vetëdijen e lartë, vullnetin e paluhatshëm, që me përkushtimin më të madh të kryejmë agjërimin.

Ibadetet dhe lutjet tona të sinqerta – në veçanti, lutjet tona për një botë në paqe e tolerancë shkojnë konform fjalëve të Muhamedit (a. s.): “Kush e agjëron muajin e Ramazanit me besim (të sinqertë dhe me shpresë se do të shpërblehet nga Zoti për të), do t’i falen të gjitha mëkatet e mëparshme.”

Urojmë fillim të mbarë, ambient të këndshëm të muajit të Ramazanit dhe: qoftë i bekuar ky muaj i madh dhe i shenjtë, thuhet në komunikatën e lëshuar me shkrim nga ana e Bashkësisë Fetare Islame”, ka thënë ai.

Të fundit