13/10/2024
10 C
Tetovo

Të tjera lajme

Në Gostivar deri tani një person pozitiv me koronavirus testohen 26 të tjerë

Në rajonin më të gjërë të Gostivarit në tre komuna të rrethinës ka vetëm një rast me KOVID-19. Personi është akomoduar në repartin infektiv të spitalit të përgjithshëm. Tani për tani është me pasqyrë të lehtë klinike. Nën kontroll policor janë 195 persona të cilët kanë rekomandime të jenë në vetizolim. Në PTHP Gostivar për mosrespektim të orës policore dhe masat për mbrojtje nga përhapja e epidemisë, deri dje, te gjykata kompetente janë dorëzuar 10 padi penale, ndërsa gjatë ditës do të dorëzohen edhe katër tjera.

Këto janë konkluzionet pas mbledhjes së shtabit të krizave i cili u mbajt sot në sallën e Këshillit të komunës Gostivar.

Sipas përfaqësuesit të Qendrës për shëndet publik, në Gostivar dhe rrethinë janë testuar gjithsej 26 persona. Pritet së shpejti të hapet edhe pika e cila do të punojë përmes sistemit “TerminiIm”. Dy rastet e fundit të dyshimta të testimit të djeshëm ishin negativ.

“Për fat të mirë kemi vetëm një rast të konfirmuar dhe gjendja është nën kontroll, por është shumë serioze. Vlerësimi i përgjithshëm është se masat respektohen dhe qytetarët u përmbahen atyre. Shpreh falënderim të madh te personeli mjekësor i cili këto ditë punon pa u ndalur”, tha kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari pas mbledhjes në shtabin e krizave.

Prej sot, qytetarëve të cilëve do t’u duhet leje për lëvizje pas orës 21:00, pas miratimit të dokumentit do të mund ta marrin në zyrën e qendrës informative ose të paraqiten në telefonin 072 233 334.

Konkluzion i shtabit është të ndalohet distribuimi i produkteve dhe mjeteve si donacione nga shoqatat ose individët.

“Me respekt të tërësishëm ndaj të gjithë personave human, por kjo formë e veprimit është jashtë masave të përcaktuara. Gjithashtu kërkojmë të ndalet edhe prodhimtaria e maskave mbrojtëse në kushte të pakontrolluara dhe distribuimi i tyre. Në vend të mbrojtjes mund të infektohen më shumë qytetarë, sepse maskat në gjendje shtëpiake nuk janë të sterilizuara”, tha Taravari.

Ai u bëri thirrje qytetarëve prej përpara të konsultohen me institucionet relevante për ç’farëdo lloj ndihme dhe të hyjë në kontakt me organizatën e Kryqit të Kuq.

Në spitalin e përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” janë vendosur masa të jashtëzakonshme, dhe ashtu pranohen vetëm rastet urgjente, ndërsa në hyrje bëhen anketa epidemiologjike dhe matje e temperaturës. Rastet e dyshimta do të dërgohen në repartin infektiv.

Në mbarë Gostivarin, ekipi i ndërmarrjes komunale, bëjnë dezinfektim të rregullt nëpër rrugë dhe sipërfaqe publike, ndërsa në rrjedhë është dezinfektimi i hapësirave të përbashkëta të ndërtesave banesore.

Gjatë mëngjesit dhe mbrëmjes policia ka privuar nga liria katër persona, të cilëve pas zbardhjes së tërësishme dhe dokumentimit të rasteve, do t’u përgatiten parashtresa adekuate sipas nenit 206 të Kodit penal për ” mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë”. zgm/sa/

Të fundit